Mesazh në mbështetje të popullit ukrainas, protestuesja nudo në Kanë: Ndaloni përdhunimin

Mesazh në mbështetje të popullit ukrainas, protestuesja nudo

Një protestuese gjysmë e zhveshur e lyer me ngjyrat e flamurit të Ukrainës mori gjithë vëmendjen në Festivalin e Kanës. Në trupin e saj shkruhej mesazhi i fortë “Ndaloni përdhunimin”.

Një protestë e papritur, në mbështetje të popullit ukrainas dhe grave të përdhunuara gjatë konfliktit, u shënua në tapetin e kuq në Festivalin e Kanës. Protagoniste ishte kjo grua, e cila u shfaq me trupin e lyer me ngjyrat e flamurit ukrainas dhe të kuqen e gjakut të viktimave të konfliktit.

Në trupin e saj gruaja kishte shkruar “Ndaloni përdhunimin”, dhe kjo ndodhi përpara premierës së filmit të ri të regjisorit George Miller, “Three Thousand Years of Longing”. Pak e vunë re këtë, pasi gruas iu bashkuan shpejt punonjësit e sigurisë së festivalit të cilët e mbuluan, por fotografët arritën të filmonin skenën.

Ky reagim vjen pas protestave solidare në mbështetje të Ukrainës në të gjithë botën. Më herët, gjatë javës edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy iu drejtua të pranishmëve në ceremoninë e hapjes së festivalit francez të filmit, duke marrë duartrokitje të vazhdueshme teksa foli për fuqinë e filmave. Vërejtjet e tij vijnë ndërsa Rusia dhe Vladimir Putin vazhdojnë pushtimin e tyre në Ukrainë.

Përpara festivalit, organizatorët e Kanës lëshuan një deklaratë duke bojkotuar delegacionet ruse që të mos merrnin pjesë në veprimtari. Ata thanë, "Ndërsa bota është goditur nga një krizë e rëndë në të cilën një pjesë e Evropës gjendet në gjendje lufte, Festivali i Kanës dëshiron të ofrojë të gjithë mbështetjen e tij për popullin e Ukrainës dhe të gjithë ata që janë në territorin e saj”.

EMISIONET