Merz hesht për mundësinë e dërgimit të raketave gjermane “Taurus” në Ukrainë
Kancelari gjerman Friedrich Merz shmangu një pyetje sot nëse do të ishte i gatshëm t’i dërgonte Ukrainës raketat gjermane “Taurus”, siç kishte kërkuar gjatë fushatës së tij.
Merz, duke folur në një takim në Kiev, ku morën pjesë udhëheqësit e Francës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Polonisë, tha se vendimet që do të merren nuk janë diçka për të cilën ai dëshiron të flasë publikisht.
“Masat që marrim së bashku për t’i dhënë fund kësaj lufte dhe vendimet e përbashkëta që marrim për të siguruar një paqe të mundshme në Ukrainë nuk janë kryesisht çështje për diskutim publik”, tha ai duke shtuar se çështjet do të diskutohen së pari nga aleatët, përfshirë Shtetet e Bashkuara.
Merz kishte thënë më parë, në një intervistë të botuar sot në gazetën gjermane “Bild” se “nëse Rusia nuk e pranon propozimin e Ukrainës për armëpushim 30-ditor, do të ketë pasoja të gjera”.