“Mbështetu tek ne, miku im!”- Përqafim i ngrohtë midis Macron dhe Zelensky në Ukrainë

“Mbështetu tek ne, miku im!”- Përqafim i ngrohtë

Gjatë vizitës së tij në Kiev, presidenti francez Emmanuel Macron shprehu mbështetjen e tij të plotë për presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, përmes një mesazhi të ngrohtë të publikuar në platformën X, të shoqëruar me një video ku shihet duke përqafuar homologun e tij ukrainas.

“Mbështetu tek ne, miku im”, shkroi Macron, duke rikonfirmuar qëndrimin e palëkundur të Francës në mbështetje të Ukrainës, e cila po përballet me agresionin rus prej më shumë se tre vitesh.

Sipas mediave franceze, Macron darkoi me Zelenskyn në një takim të ngushtë në rezidencën presidenciale, pak para largimit nga kryeqyteti ukrainas.

Në një intervistë për televizionet franceze TF1 dhe LCI, e dhënë gjatë udhëtimit me tren drejt Kievit, Macron bëri thirrje për nisjen e “negociatave të menjëhershme” mes Ukrainës dhe Rusisë, në kuadër të një armëpushimi 30-ditor që është propozuar nga vendet evropiane, Shtetet e Bashkuara dhe vetë Ukraina.

“Nëse vendoset një armëpushim 30-ditor, ne jemi të gatshëm të ndihmojmë në fillimin e bisedimeve të drejtpërdrejta mes Ukrainës dhe Rusisë,” deklaroi Macron.

Në rast se Moska refuzon propozimin, ai paralajmëroi se “do të ketë sanksione shtesë, shumë më të ashpra.”

Nga ana tjetër, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi për CNN se Moskës do t’i duhet ta shqyrtojë propozimin për armëpushim 30-ditor, duke e konsideruar atë si një zhvillim të ri në dinamikën e luftës.

“Duhet ta analizojmë. Kemi pozicionin tonë për këtë çështje,” tha Peskov, duke kujtuar se presidenti rus Vladimir Putin kishte shpallur disa ditë më parë një armëpushim tre-ditor, por pa marrë ndonjë reagim nga Kievi.

Ai theksoi gjithashtu se pavarësisht kësaj lëvizjeje nga ana e Rusisë, nuk ka pasur ndonjë përgjigje publike nga pala ukrainase.

“A e keni dëgjuar ndonjë reagim nga Kievi? Jo. As ne. A ka ndonjë kritikë ndaj Ukrainës që nuk u përgjigj? Sërish jo,” deklaroi Peskov, duke nënvizuar mungesën e presionit ndërkombëtar mbi udhëheqësinë ukrainase.

EMISIONET