Macron në favor të përdorimit të armëve perëndimore nga Ukraina për të sulmuar territorin rus

Macron në favor të përdorimit të armëve

Presidenti francez Emmanuel Macron u shpreh sot në favor të përdorimit të armëve perëndimore nga Ukraina për të sulmuar pozicionet në territorin rus.

“Ne mendojmë se duhet të lejojmë forcat ukrainase të neutralizojnë vendet ushtarake nga të cilat lëshohen raketat dhe kryesisht vendet ushtarake nga të cilat sulmohet Ukraina”, tha Macron pas bisedimeve me kancelarin gjerman Olaf Scholz, në Berlin.

“Ne nuk duhet të lejojmë që të goditen objektiva të tjera në Rusi, natyrisht kapacitete civile, apo objektiva të tjerë ushtarakë”, shtoi ai.

“Toka ukrainase po sulmohet de fakto nga bazat e vendosura në Rusi. Si ua shpjegoni ukrainasve se ata duhet të mbrojnë qytetet e tyre?”, tha Macron.

“Nëse ju u thoni atyre: ‘Nuk duhet të arrini në pikën nga të cilat lëshohen raketat’, atëherë në thelb po thoni: ‘Ne po ju furnizojmë me armë, por ju nuk duhet të mbroni veten”, shtoi ai.

Macron tregoi gjithashtu një hartë të vijës së frontit aktual në Ukrainë dhe nënvizoi se Franca nuk kërkon ndonjë përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit.

Scholz theksoi se Ukraina ka të drejtë të mbrohet sipas ligjit ndërkombëtar.

“Përdorimi i armëve të furnizuara nga SHBA-ja, Franca dhe Gjermania është subjekt i përputhjes me ligjin ndërkombëtar”, tha ai.

Gjermania dhe disa vende të tjera kanë vendosur të dërgojnë armë në Ukrainë me kush që ato të mos përdoren për të sulmuar objektivat në Rusi, nga frika se përndryshe NATO mund të bëhet palë në luftë.

Megjithatë, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg kohët e fundit propozoi heqjen e kufizimeve për përdorimin e armëve perëndimore nga Ukraina. 

EMISIONET