Kryeministri francez në "shok", e bija zbulon publikisht se është abuzuar nga prifti në shkollë
Kryeministri francez François Bayrou ndodhet në qendër të një skandali të rëndë abuzimi që ka tronditur opinionin publik në Francë.
Vajza e tij, Hélène Perlant, ka deklaruar për Paris Match se është rrahur brutalisht nga një prift gjatë një kampi veror në vitet ’80, kur ishte 14 vjeç, në shkollën katolike private Notre-Dame de Bétharram — institucion që aktualisht po përballet me mbi 200 kallëzime për abuzime fizike dhe seksuale nga viti 1957 deri më 2004.
Perlant tha në vitin 1987, ajo “u kap nga flokët, u tërhoq zvarrë përdhe për disa metra dhe u godit me shkelma në të gjithë trupin e saj, veçanërisht në stomak” nga një prift që punonte në Bétharram, ku ajo ndoqi mësimet së bashku me disa nga fëmijët e tjerë të Bayrou dhe ku nëna e saj mësonte edukimin fetar.
Edhe pse Perlant e cila tani është 53 vjeç, ka pranuar se nuk i ka treguar asnjëherë të atit për ngjarjen, dyshimet janë përqendruar mbi faktin nëse Bayrou, që ka qenë ministër arsimi dhe politikan lokal në zonën ku ndodhet shkolla, kishte dijeni për abuzimet dhe nuk veproi.
Tre nga fëmijët e tij kanë ndjekur këtë shkollë, ndërsa gruaja e tij ka dhënë mësim aty. Dëshmi të fundit para një komisioni parlamentar kanë ngritur pikëpyetje serioze mbi versionin e Bayrou.
Një hetues deklaroi nën betim se në vitin 1998 një gjyqtar i kishte thënë se hetimi për një rast përdhunimi po vonohej për shkak të ndërhyrjes së Bayrou.
Ky i fundit i ka mohuar kategorikisht akuzat dhe ka deklaruar se nuk ka ndërhyrë kurrë në ndonjë çështje ligjore.
François Bayrou pritet të dëshmojë para komisionit parlamentar më 14 maj. Skandali po vë në rrezik serioz qëndrimin e tij në krye të qeverisë franceze.