Kriza humanitare/ 3,5 milionë afganë në prag urie, nevojiten ndihma

Kriza humanitare/ 3,5 milionë afganë në prag urie, nevojiten

Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët ka nisur një fushatë globale për mbledhjen e fondeve për të ndihmuar në shmangien e krizës së urisë në Afganistan.

Sipas UNHCR-së rreth 3,5 milionë afganë janë në zgrip të urisë, ndaj janë të nevojshme ndihmat e menjëhershme humanitare.

"Njerëzit nuk kanë për të ngrënë dhe kjo është shumë e dukshme kur zbret në terren", tha zëdhënësi i UNHCR-së Babar Baloch në Gjenevë pas kthimit të tij të fundit nga Kabuli. Ai vuri theksin te mungesa e strehimoreve të ngrohta për dimër, rrobat dimërore, ushqimi i pamjaftueshëm, karburanti për ngrohje dhe furnizimet mjekësore. Këto janë disa nga problemet akute që shfaqen për qytetarët afganë këtë dimër, tha Baloch.

Sipas zëdhënësit të UNHCR-së, gati 23 milionë njerëz, ose 55 për qind e popullsisë, po përballen me nivele ekstreme të urisë. Teksa temperaturat pritet të shkojnë në -25 gradë Celsius, shumë familje nuk kanë strehim të duhur – një kërkesë parësore për t’i mbijetuar të ftohtit," paralajmëroi ai.

Agjencia e OKB-së tha se po ndihmon gati 60,000 njerëz çdo javë.

"Por ndërsa identifikojmë mijëra njerëz që kanë nevojë për ndihmë, gjejmë mijëra të tjerë që kanë po të njëjtin hall," shpjegoi Baloch ndërsa bëri thirrje për sensibilizim ndërkombëtar.

Mbështetja për të përballuar kushtet ekstreme të motit, sipas zyrës së UNHCR-së, do të vazhdojë deri në shkurt, ku përfshihen batanije termale dhe veshje të ngrohta dimërore. Strehimoret gjithashtu po riparohen për të strehuar jetimët dhe pleqtë e vetmuar.

EMISIONET