Kreu i grupit Wagner thirrje Kremlinit: Ndaloni raportet negative të mediave për njerëzit e mi! Kush i diskrediton të dënohet
Themeluesi i grupit mercenar rus Wagner që lufton në Ukrainë i ka kërkuar Kremlinit të ndalojë raportet negative të mediave për njerëzit e tij.
Yevgeny Prigozhin ka kërkuar që kodi penal të ndryshohet për ta bërë “diskreditimin” e luftëtarëve të tij të dënueshëm deri në pesë vjet burg.
Ai e bëri këtë kërkesë në një letër dërguar Vycheslav Volodin, kryetarit të Dumës, dhoma e ulët e parlamentit të Rusisë.
Z. Volodin, një aleat i ngushtë i Vladimir Putinit, po mbron tashmë ndryshimin e kodit penal për të lejuar autoritetet të konfiskojnë pronat dhe asetet e rusëve që jetojnë jashtë vendit, të cilët fyejnë publikisht Rusinë dhe forcat e saj të armatosura.
Por tani zoti Prigozhin, i cili ka adoptuar një profil të lartë publik që nga fillimi i luftës në Ukrainë, ka akuzuar “disa media, blogerë dhe kanale Telegram” për diskreditim të disa prej njerëzve të tij, duke përfshirë të dënuarit që ai ka rekrutuar në radhët e Wagnerit, duke i paraqitur ata si “djemtë e këqij dhe kriminelë”.
Shefi i Wagner-it i kërkoi parlamentit të kriminalizojë çdo veprim ose botim që diskreditonte individë të tillë dhe të shpallte të paligjshme zbulimin publik të së kaluarës së tyre kriminale.
“Në thelb, njerëzit që janë në pjesët më të rrezikshme të vijës së frontit dhe që rrezikojnë jetën e tyre çdo ditë dhe vdesin për Atdheun, po portretizohen si njerëz të dorës së dytë, duke u hequr atyre të drejtën për të shlyer fajin e tyre para shoqërisë dhe duke minimizuar me vetëdije arritjet e tyre”, shkruante Prigozhin në letër.