Fundi i luftës mes dy Koreve/ Koreja e Veriut e gatshme për paqe nëse plotësohen kushtet...

Fundi i luftës mes dy Koreve/ Koreja e Veriut e gatshme për paqe

Koreja e Veriut po tregohet e hapur ndaj propozimit të Koresë së Jugut për t'i dhënë fund pas mbi 70 vjetësh gjendjes së luftës mes dy fqinjëve aziatikë.

"Apeloj që të rifillojmë sa më shpejt dialogun mes dy Koreve dhe mes SHBA-së e Koresë së Veriut. Shpresoj që Gadishulli Korean do ta provojë fuqinë e dialogut, të bashkëpunimit e paqes."

Ishte presidenti koreanojugor, Mun Xhae-in, i cili këtë javë e zgjati i pari dorën e bashkëpunimit në fjalimin e tij përpara asambleistëve të OKB-së.

Ai kërkoi firmosjen e një armëpushimi për konfliktin që e vitit 1950-1953 pasi palët janë praktikisht në paqe por teknikisht në luftë me njëra-tjetrën.

Në Phenian u përgjigj të premten e motra e udhëheqësit koreanoverior, Kim Jo Xhong, duke thënë se ideja është për t'u admiruar porse ka ende rezerva.

Vetëm një javë më parë, dy kryeqytetet u përplasën diplomatikisht për lëshimin e raketave balistike-provë nga Veriu.

Presidenti Mun Xhae-in i quajti testet provokime, ndërsa Kim Jo Xhong reagoi duke e qortuar Jugun për trillime.

"Që të shpallim përfundimin e luftës, duhet së pari ta respektojmë njëri-tjetrin dhe të eliminojmë bindjet paragjykuese, politikat armiqësore dhe standardet e dyfishta që justifikojnë aktet e tyre por na thonë neve se gabojmë kur ushtrojmë të drejtën tonë për t'u vetëmbrojtur," deklaroi zyrtarja e Departamentit të Propagandës dhe Agjitacionit e Partisë koreane të Punës.

Raportet mes dy Koreve mbeten të acaruara që prej vitit 2019, ndërsa një vit më parë, Pheniani shpërtheu edhe zyrën që simbolizonte bashkëpunimin korean mes Jugut e Veriut.

EMISIONET