Katër astronautë drejt misionit Artemis III, NASA zbulon emrat e ekuipazhit

Katër astronautë drejt misionit Artemis III, NASA zbulon emrat e

Agjencia Amerikane e Hapësirës, NASA, ka prezantuar katër astronautët që do të marrin pjesë në misionin Artemis III, një nga etapat kryesore të programit që synon rikthimin e njerëzve në Hënë.

Astronautët Randy Bresnik, Luca Parmitano, Frank Rubio dhe Andre Douglas janë përzgjedhur për misionin që pritet të nisë vitin e ardhshëm në orbitën e Tokës. Qëllimi i tij është testimi i të paktën një prej moduleve komerciale të uljes në Hënë, të cilat do të përdoren në misionet e ardhshme drejt sipërfaqes hënore.

Randy Bresnik do të jetë komandanti i misionit, ndërsa astronauti italian Luca Parmitano do të shërbejë si pilot. Frank Rubio dhe Andre Douglas do të kenë rolin e specialistëve të misionit. Ndërkohë, astronauti Bob Hines do të stërvitet si pjesë rezervë e ekuipazhit.

Për zhvillimin e moduleve të uljes po konkurrojnë dy kompani amerikane, SpaceX dhe Blue Origin. Të dyja synojnë të kenë mjetet e tyre gati për testim në kuadër të Artemis III.

Misioni, i planifikuar për fundin e vitit 2027, pritet të zgjasë rreth dy javë dhe konsiderohet prova përfundimtare para tentativës për uljen e astronautëve në Hënë. Nëse gjithçka zhvillohet sipas planit, hapi i radhës do të jetë misioni Artemis IV, i cili synon rikthimin e njerëzve në sipërfaqen hënore.

Programi Artemis ka si objektiv afatgjatë krijimin e një pranie të qëndrueshme njerëzore në Hënë. NASA ka bërë të ditur se planifikon investime prej rreth 20 miliardë dollarësh për ndërtimin e një baze hënore në vitet e ardhshme.

Fillimisht, Artemis III ishte parashikuar të realizonte uljen në Hënë, por programi u riorganizua këtë vit me shtimin e misioneve të reja përpara se të ndërmerret hapi përfundimtar.

Nëse misionet rezultojnë të suksesshme, Shtetet e Bashkuara mund të realizojnë uljen e parë të astronautëve në Hënë pas më shumë se pesë dekadash, në një kohë kur edhe Kina synon të dërgojë astronautë në sipërfaqen hënore deri në vitin 2030.

Megjithatë, mbeten sfida për disa nga partnerët e programit. Blue Origin po përballet me pasojat e një shpërthimi të ndodhur gjatë testimit të një rakete në Florida, incident që dëmtoi pajisje të rëndësishme të kompanisë.

EMISIONET