Kamala Harris e uroi për fitoren, zyra elektorale e Donald Trump zbardh bisedën: Të dy udhëheqësit ranë dakord për rëndësinë e unifikimit të Amerikës
Zyra elektorale e presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump ka lëshuar një deklaratë pasi Kamala Harris foli me të dhe pranoi rezultatin e zgjedhjeve. Steven Cheung, drejtori i komunikimit të fushatës, tha se Trump vlerësoi forcën, profesionalizmin dhe këmbënguljen e Harris gjatë gjithë fushatës dhe të dy udhëheqësit ranë dakord për rëndësinë e bashkimit të vendit.
“Presidenti Donald J. Trump dhe zëvendëspresidentja Kamala Harris folën në telefon më herët sot, ku ajo e uroi për fitoren historike. Presidenti Trump e vlerësoi zëvendëspresidenten Harris për forcën, profesionalizmin dhe këmbënguljen e saj gjatë gjithë fushatës dhe të dy liderët ranë dakord për rëndësinë e unifikimit të Amerikës”, ka thënë në një deklaratë drejtori i komunikimit të fushatës, Steven Cheung.
Ndërkohë Presidenti Joe Biden ka telefonuar Donald Trump për t’ia uruar fitoren dhe e ka ftuar në Shtëpinë e Bardhë për ta diskutuar transferimin e pushtetit. Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se për këtë çështje do të koordinohet një datë në të ardhmen e afërt. Biden nesër do të mbajë fjalim për të komentuar rezultatin e zgjedhjeve.