Ishulli gërmadhë në Itali, vajza i telefon të atit për ta shpëtuar. Nxirren nga balta 5 trupa
Njerëzit që humbën të afërmit e tyre nga rrëshqitjet e tokës në ishullin italian Ischia tregojnë momente tmerri.
Babai i një vajze rreth të 30-tave tregoi se si ajo i telefonoi për ndihmë kur toka filloi të rrëshqiste në kodrën sipër saj, por ai nuk ishte në gjendje ta shpëtonte. Ekipet e shpëtimit gjetën 5 trupa, ndërsa nëntë persona janë ende të zhdukur në ishullin pranë Napolit.
Përroi i baltës dhe mbeturinave shkatërroi shtëpitë dhe përplasi makinat në det. Stuhitë e shiut pasuan në të gjithë Italinë jugore, por tani që moti është qetësuar, shkalla e shkatërrimit po bëhet e qartë.
Më shumë se 100 zjarrfikës, si dhe zhytës, janë vendosur në Ischia në përpjekje për të rehabilituar vendin.
Automjetet e shkatërruara janë grumbulluar njëra mbi tjetrën, të shtypura nga forca e rrëshqitjes së baltës, ndërsa pamja apokaliptike po mbetet në memorien e atyre që kanë parë peizazhin e këtij ishulli popullor turistik.
Ashtu si Capri aty pranë, Ischia, është një destinacion pushimi për të huajt dhe vendasit.
Një çështje kyçe në ishull, megjithatë, mbetet fakti se rreth gjysma e shtëpive janë ndërtuar ilegalisht dhe kështu nuk mund t'i rezistojnë forcës së rrëshqitjeve të dheut dhe tërmeteve.
Qeveria ka miratuar një gjendje të jashtëzakonshme, duke caktuar një shumë fillestare prej 2 milion € për të ndihmuar në rindërtimin e shtëpive.
Banorëve u kërkohet të qëndrojnë në shtëpi për të shmangur pengimin e shërbimeve të urgjencës në përpjekjet e tyre.