Indonezi, 19 të vdekur dhe 2 të zhdukur nga rrëshqitjet e dheut

Indonezi, 19 të vdekur dhe 2 të zhdukur nga rrëshqitjet e dheut

Të paktën 19 persona janë gjetur të vdekur dhe 2 të tjerë janë zhdukur pas një rrëshqitjeje dheu në Indonezinë qendrore.

Të vdekurit dhe dy të mbijetuarit u evakuuan nga dy fshatra të goditur nga rrëshqitja e dheut në regjencën Tana Toraja, provincën Sulawesi Jugor të shtunën në mbrëmje, tha kreu i agjencisë lokale të fatkeqësive, Sulaiman Malia.

“Ka pasur 19 viktima, me 4 vdekje në Makale të Jugut dhe 15 të tjerë në fshatrat Makale. Aktualisht, ne jemi ende në kërkim për viktima të tjera,” tha ai.

Tana Toraja dhe zonat përreth saj janë goditur vazhdimisht nga reshjet e dendura, veçanërisht gjatë javës së kaluar, me pothuajse asnjë ndalesë, shtoi Malia.

Reshjet e dendura të shiut gërryen tokën e zonave të banuara të vendosura në shpatet e maleve, duke çuar në rrëshqitje të dheut që varrosën shtëpitë e banorëve, tha ai.

Indonezia është e prirur ndaj rrëshqitjeve të dheut gjatë sezonit të shirave dhe problemi është përkeqësuar në disa vende nga shpyllëzimi, me shirat e rrëmbyeshëm të zgjatur që shkaktojnë përmbytje në disa zona të kombit të arkipelagut.

Muajin e kaluar përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut në ishullin Sumatra vranë të paktën 30 persona dhe shumë të tjerë ende të zhdukur.

Një rrëshqitje dheu dhe përmbytje rrënuan dhjetëra shtëpi dhe shkatërruan një hotel pranë liqenit Toba në Sumatra në dhjetor, duke vrarë të paktën dy persona.

EMISIONET