India, epiqendra e re e pandemisë

India, epiqendra e re e pandemisë

India po e kalon më keq se çdo vend tjetër valën aktuale të pandemisë dhe sistemi shëndetësor nuk po arrin t'i përgjigjet situatës.

Të enjten shteti i Azisë Jugore shënoi rekordin me gati 315 mijë të infektuar të rinj me kovid-19 brenda 24 orëve.

Bilancit iu shtuan edhe 2,100 viktima që e çojnë në afro 185 mijë numrin e jetëve të humbura.

Vala e dytë e pandemisë po stimulohet nga një variant autokton i koronavirusit.

"Tani për tani është një variant në studim por i takon OBSH-së ta shpallë sa i rrezikshëm është. Rritja e rasteve është sistematike, e njëkohshme, që tregon se shpërndahet më shumë dhe më shpejt."

Vështirësi të mëdha po hasin spitalet me të sëmurët me kovid, pasi mungesa e oksigjenit për respiratorët i ka bërë ata jofunksionalë.

Edhe farmacitë kanë mungesa të ilaçeve jetike në vendin me 1 miliard e 300 mijë banorë.

"Ndjehem i pafuqishëm sepse si farmacist, e kam për detyrë të plotësoj kërkesat e klientit. Njerëzit vijnë duke qarë por nuk kemi ilaçe dhe as qeveria nuk po arrin t'i sigurojë."

"Je me fat po të gjesh një shtrat me oksigjen dhe respirator. Prej ditësh po kërkoj në shumë vende për injeksione Remdesiviri, për shtretër, për ilaçe si Fabiflu-ja, por askund nuk ka."

India ka numrin më të lartë të bartësve të koronavirusit pas Amerikës.

Ekspertët thonë se banorët nuk i ndjekin udhëzimet për maskat dhe distancimin social, ndërkohë që vendi ka përdorur mbi 130 milionë doza vaksinash, kryesisht për stafin shëndetësor dhe personat e rrezikuar mbi 45 vjeç.

Kompania amerikane "Pfizer" njoftoi se po shqyrton mundësinë që t'i sigurojë vaksina vendit me një çmim të ulët, jo për qëllim fitimi.

EMISIONET