Çifti i influencuesve rrëfejnë tmerrin nga udhëtimi në Indi: Na kanë rrahur dhe pë*dhunuar
Autoritetet thanë të shtunën se një çift influencuesish, Fernanda dhe Vicente, u sulmuan brutalisht nga një bandë sulmuesish teksa kalonin nëpër lagjen Dumka në Indi gjatë rrugës për në Nepal.
Çifti, i njohur për dokumentimin e udhëtimeve të tyre në Instagram me mbi 190,000 ndjekës, u ndal në kamp gjatë natës në Dumka kur ndodhi sulmi, raportoi Daily Beast.
Të dy pësuan lëndime të rënda, me mavijosje të dukshme në fytyrë. Ata me lot e kanë rrëfyer ngjarjen në spanjisht në videot e postuara në Instagram. “Na ka ndodhur diçka që nuk do t’ia urojmë askujt”, thotë Fernanda në video, “shtatë burra më kanë përdhunuar, na kanë rrahur dhe na kanë grabitur”.
Ajo shtoi se sulmuesit nuk kanë vjedhur shumë gjëra “sepse ajo që ata donin ishte ta përdhunonin”. Në një postim tjetër, Vicente u tregoi shikuesve lëndimet e tij rreth gojës. “Goja ime është shkatërruar, por Fernanda është më keq se unë”, tha ai, duke shtuar se sulmuesit e kishin goditur vazhdimisht me helmetë dhe një gur në kokë. Policia tha se Fernanda arriti në një furgon patrullimi rreth orës 23:00 dhe u dërgua në spital për trajtim. Pitamber Singh Kherwar, mbikëqyrësi i policisë së qarkut, tha se ata kishin arrestuar tre persona në lidhje me sulmin dhe po kërkonin për të tjerët.
Rasti nxori edhe njëherë në dritë historinë e tmerrshme të sulmeve seksuale në Indi. Sipas Byrosë Kombëtare të Regjistrimeve të Krimit, kombi është ndër më të këqijtë për dhunën seksuale ndaj grave; në vitin 2022, raportoheshin rreth 90 përdhunime çdo ditë. Megjithatë, turpërimi i viktimave dhe mungesa e besimit në efektivitetin e zbatimit të ligjit shpesh rezulton në nën-raportim të përdhunimeve.