Çifti dhe djali i tyre 9-vjeçar gjenden të pajetë pas rënies nga një rrokaqiell!

Çifti dhe djali i tyre 9-vjeçar gjenden të pajetë pas

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Londrën, ku një çift dhe djali i tyre 9-vjeçar humbën jetën pasi ranë nga kati i 36-të i një rrokaqielli në zonën Highpoint. Viktimat janë identifikuar si 47-vjeçari Rakesh Pai, bashkëshortja e tij 46-vjeçare Aditi Paralkar dhe djali i tyre Sid. Sipas raportimeve të mediave britanike, familja ra nga një lartësi prej rreth 120 metrash nga ndërtesa 45-katëshe ku jetonte, mëngjesin e 27 majit.

Daily Mail raporton se tragjedia lidhet me gjendjen e rënduar shëndetësore të djalit 9-vjeçar. Sid kishte aftësi të kufizuara, vështirësi në të nxënë dhe vuante nga probleme të rënda me veshkat. Sipas raportimeve, mjekët u kishin bërë me dije prindërve se nuk kishte trajtime që mund të përmirësonin ndjeshëm gjendjen e tij.

Rakesh Pai punonte si konsulent financiar, ndërsa Aditi Paralkar mbante një pozicion drejtues në një kompani ndërtimi. Miqtë e familjes kanë treguar se çifti ishte përballur prej vitesh me sfida të mëdha për shkak të gjendjes së djalit të tyre. Rreth gjashtë vite më parë, familja ishte larguar nga Mbretëria e Bashkuar për t’u vendosur në Indi, me shpresën se Sid do të përfitonte kujdes më të specializuar mjekësor, ndërsa Aditi do të kishte pranë mbështetjen e familjes dhe miqve të saj në Mumbai. Megjithatë, pas përpjekjeve të shumta pa rezultat, familja u rikthye në Londër në vitin 2025.

Një mik i familjes deklaroi për mediat britanike se situata kishte ushtruar presion të jashtëzakonshëm mbi çiftin. “Ishte një stres i madh për të dy, por Aditi po e kishte veçanërisht të vështirë ta përballonte. Ajo nuk kishte familje në Mbretërinë e Bashkuar dhe, në të njëjtën kohë, mbante një punë shumë të kërkuar, ndaj ishte e vështirë të menaxhonte gjithçka”, tha ai. Autoritetet britanike po hetojnë rrethanat e plota të ngjarjes, ndërsa komuniteti ku jetonte familja është tronditur nga humbja e tyre./Balkan Web

EMISIONET