IEA: Kërkesa për energji elektrike po rritet me ritme të shpejta në mbarë botën
Nevoja në rritje për energji në vendet në zhvillim si dhe kërkesa në rritje për energji elektrike nga industria, do të çojnë në rritjen e konsumit të energjisë elektrike në nivel global në vitet e ardhshme, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA).
Agjencia me seli në Paris tha në raportin e saj të fundit, të publikuar sot, se pritet që konsumimi global i energjisë të rritet me 4% në vit deri në vitin 2027, duke arritur në nivelin më të lartë në vitet e fundit.
Rritja është kryesisht për shkak të përdorimit në rritje të energjisë elektrike për prodhimin industrial, kërkesës në rritje për kondicionerë dhe zgjerimin e shpejtë të qendrave të të dhënave.
Sipas IEA-së, pjesën më të madhe të kërkesës shtesë gjatë tre viteve të ardhshme do ta zënë vendet në zhvillim, duke përbërë 85% të rritjes së kërkesës.
Drejtori i Tregjeve të Energjisë dhe Sigurisë në IEA, Keisuke Sadamori, tha se përshpejtimi i rritjes së kërkesës “tregon ndryshimet e mëdha që po ndodhin në sistemet energjetike në mbarë botën”.
Sadamori shtoi se ndërsa ekonomitë në zhvillim pritet të përbëjnë pjesën më të madhe të rritjes së kërkesës për energji elektrike, konsumi parashikohet të rritet “në shumë ekonomi të përparuara pas një periudhe pauze”.