I nxehti i pazakontë pushton Europën, temperatura 10 gradë mbi normalen dhe të pazakonta për tetorin
I nxehti ekstrem është rikthyer sërish në Spanjë. Në Kordoba dhe Sevilje termometri shënoi nga 34 në 37 gradë Celsius, temperatura 10 gradë mbi normalen dhe të pazakonta në këtë fillim Tetori.
Në Galicinë veriore, ku temperaturat janë zakonisht më të ftohta, vendasit mbushën plazhet. Agjencia spanjolle e motit tha se vapa e pazakontë do të zgjasë deri të martën ku disa pjesë të vendit janë nën rrezik të lartë zjarri.
Nxehtësia po i atribuohet një vale të ardhur nga Afrika drejt Gadishullit Iberik.
I nxehti ka prekur edhe disa rajone të Portugalisë. Temperaturat pritet të jenë pesë deri në tetë gradë më të nxehta se mesatarja, sipas Institutit Portugez për Detin dhe Atmosferën.
Franca gjithashtu ka regjistruar vlera mbi 33 gradë Celsius në pjesën jugore të vendit.