I gjendet kokainë në dhomën e hotelit, arrestohet 27-vjeçari në Itali
Një 27-vjeçar shqiptar është arrestuar në Itali, pasi është kapur me kokainë. Arrestimi i të riut është kryer më 8 janar nga karabinierët, por ai ka qenë prej kohësh nën vëzhgim nga agjentët, teksa konstatohej se qëndronte vetëm për periudha të shkurtra në Cesena. Nga hetimet e kryera rezultoi se gjatë këtyre qëndrimeve të shkurtra 27-vjeçari shqiptar merrte gjithmonë me qira një makinë.
Vëmendjen e hetuesve e tërhoqën jo vetëm lëvizjet e pazakonta të shqiptarit, por edhe fakti se ai nuk dukej se po kryente asnjë aktivitet pune që do të justifikonte praninë e tij në Cesena. Ekipi policor hyri në hotelin ku 27-vjeçari po qëndronte prej disa ditësh dhe pasi trokitën në derën e dhomës së tij, u dallua menjëherë kokaina e ndarë në doza, në total prej rreth 200 gramësh, të mbetura në një komodinë.
Media italiane informon se nga një kontroll më i thelluar është gjetur edhe një shumë prej 470 eurosh cash, e cila sipas policisë mund të gjurmohet në aktivitetin e trafikut të drogës. 27-vjeçari u arrestua menjëherë dhe u sekuestrua droga dhe paratë e gatshme. I riu u dërgua në burg në Forli, teksa gjykata ka aprovuar masën e sigurisë së arrestit me burg.