Holanda, thirrje nëpunësve civilë që të heqin TikTok nga telefonat e tyre të punës

Holanda, thirrje nëpunësve civilë që të heqin TikTok

Nëpunësit civilë holandezë së shpejti do të ndalohen të përdorin platformën video në pronësi kineze TikTok në telefonat e tyre të punës, njoftoi të martën ministria e brendshme holandeze, pas vendimeve të ngjashme në vende të tjera evropiane.

Ministria holandeze tha se dekurajon përdorimin në telefonat e lëshuar nga qeveria të të gjitha aplikacioneve nga "vendet me një program agresiv kibernetik që synon Holandën ose interesat holandeze".

Agjencia holandeze e inteligjencës AIVD renditi Kinën, Rusinë, Iranin dhe Korenë e Veriut si vende me programe të tilla agresive kibernetike, gjë që rrit rrezikun e spiunazhit.

Këtë muaj, Belgjika ndaloi TikTok, i cili është në pronësi të kompanisë kineze ByteDance, nga telefonat dhe kompjuterët e punonjësve të qeverisë federale.

CEO i TikTok: Kompania është në një pikë "vendimtare"

CEO i TikTok Shou Zi Chew tha se kompania është në një moment përcaktues pasi gjithnjë e më shumë ligjvënës amerikanë kërkojnë të ndalojnë aplikacionin për arsye të sigurisë kombëtare.

Shou Zi Chew tha në një video të postuar herët të martën në TikTok se aplikacioni tani ka më shumë se 150 milionë përdorues aktivë mujorë në SHBA.

"Kjo është sikur gjysma e SHBA-së të vijë në TikTok," tha Shou Zi Chew.

TikTok kishte njoftuar në vitin 2020 se kishte 100 milionë përdorues amerikanë.

Shou Zi Chew, i cili do të flasë para Komitetit të Energjisë dhe Tregtisë në Dhomë të enjten, tha:

"Disa politikanë kanë filluar të flasin për ndalimin e TikTok".

"Tani kjo mund të largojë TikTok nga 150 milionë prej jush," tha ai.

Chew tha gjithashtu se 5 milionë biznese amerikane përdorin TikTok për të arritur klientët e tyre.

Kritikët e TikTok kanë frikë se të dhënat e përdoruesve të tij amerikanë mund të përfundojnë në duart e qeverisë kineze përmes platformës. TikTok mohon çdo akuzë për spiunazh.

Kërkime në Itali

Në të njëjtën kohë, autoriteti italian i konkurrencës njoftoi nisjen e një hetimi kundër TikTok, me dyshimin se nuk zbaton rregullat e veta të kontrollit për "përmbajtje të rrezikshme që inkurajon vetëvrasjen, vetëdëmtimin dhe çrregullimet e të ngrënit".

Hetimi i autoritetit italian të konkurrencës synon kompaninë irlandeze TikTok Technology Limited, e cila është përgjegjëse për marrëdhëniet me konsumatorët evropianë, si dhe kompanitë angleze dhe italiane, thuhet në një deklaratë. Selia italiane e TikTok ishte të martën objekt hetimi nga ky autoritet me asistencën e policisë financiare.

Nisja e hetimit erdhi pas pranisë në platformën e “shumë videove të të rinjve që adoptojnë sjellje vetëdëmtuese”, në lidhje konkretisht me sfidën e quajtur "french scar", e cila u bë virale në Itali në rrjetin që është veçanërisht i popullarizuar tek të miturit.

Autoriteti italian akuzon TikTok për mos implementimin e sistemeve të duhura të monitorimit të përmbajtjes, "kryesisht në prani të përdoruesve veçanërisht të cenueshëm si të miturit".

TikTok nuk ka zbatuar “rregullat e veta, të cilat parashikojnë heqjen e përmbajtjeve të rrezikshme që lidhen me sfidat, vetëvrasjet, vetëdëmtimet dhe çrregullimet e të ngrënit”, tha autoriteti në një deklaratë.

TikTok aktualisht është në shënjestër nga shumë vende për arsye të sigurisë kombëtare.

Duke ndjekur drejtimin e shumë fuqive perëndimore, si SHBA-ja, Kanadaja dheBashkimi Evropian,  edhe Britania nga ana e saj e ndaloi aplikacionin në pajisjet qeveritare të enjten.

EMISIONET