Hamasi deklaron se është gati për armëpushimin pesëvjeçar me Izraelin
Një zyrtar i Hamasit deklaroi të shtunën për agjencinë franceze të lajmeve AFP se organizata rebele është e gatshme të negociojë një marrëveshje që përfshin një armëpushim pesëvjeçar dhe një shkëmbim të burgosurish me Izraelin.
Deklarata vjen në prag të bisedimeve të reja që pritet të zhvillohen në Kajro, me ndërmjetësimin e Egjiptit dhe aktorëve të tjerë ndërkombëtarë.
Zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti, theksoi se Hamasi nuk pranon një marrëveshje të pjesshme dhe kërkon që çdo armëpushim të çojë drejt një përfundimi të plotë të luftës në Rripin e Gazës, tërheqje të plotë të forcave izraelite, shkëmbim të të gjithë pengjeve dhe burgosurve, si dhe lehtësimin e menjëhershëm të krizës humanitare në territor.
Ky qëndrim vjen pas refuzimit të një propozimi nga Izraeli më 17 prill, i cili përfshinte një armëpushim 45-ditor në këmbim të lirimit të 10 pengjeve të gjalla.
Hamasi e hodhi poshtë këtë ofertë, duke e konsideruar të pamjaftueshme dhe të përkohshme.
Nga ana tjetër, Izraeli kërkon lirimin e të gjithë pengjeve dhe çarmatimin e Hamasit dhe grupeve të tjera të armatosura në Gaza, një kërkesë që Hamasi e ka cilësuar si të papranueshme.