Gjyqi i parë për krime lufte në Kiev, 21-vjeçari rus del para gjykatës, pranon vrasjen e civilit

Gjyqi i parë për krime lufte në Kiev, 21-vjeçari rus del

Në Kiev u zhvillua seanca e parë e hapur ndaj një ushtari rus të akzuuar për krime lufte në Ukrainë. Gjyqi ndaj tij do të vijojë me 18 maj, ndërkohë në dëshmi mësohet të ketë thënë se ishte urdhëruar të qëllonte ndaj një civili që mbeti i vdekur. Ai rrezikon burg të përjetshëm për akuzat e ngritura. Kremlini zyrtar refuzon të komentojë çështjen.

Ukraina nisi gjyqin e parë për krime lufte ndaj një ushtari rus. Rreshteri Vadim Shishimarin, 21 vjeç, akuzohet për vrasjen e një civili 62-vjeçar, i cili po udhëtonte me biçikletë në fshatin Çupakivka në rajonin verilindor të Sumy.

Seanca e parë u zhvillua me dyer te hapura dhe tërhoqi vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Ende nuk janë bërë publike provat ndaj të riut, por sipas prokurorisë ai mori një urdhër për vrasjen e civilit në mënyrë që të mos raportonte pozicionimin e rusëve. Nëse shpallet fajtor, dënohet me burgim të përjetshëm.

Kjo vrasje ndodhi vetëm disa ditë pas nisjes së luftës ruse ne Ukraine më 24 Shkurt. Shishimarin ishte një anëtar i një njësie tankesh, i cili u kap nga forcat ukrainase.

Sipas prokurorit ukrainas, Yaroslav Ushchapivskiy, ai e pranoi fajin dhe po bashkëpunon me prokurorinë për të përfunduar hetimet, ndërkohë që seanca e rradhës është caktuar me 18 maj.

Autoritetet ukrainase shprehen se kanë identifikuar mijëra krime lufte të kryera nga Rusia. Por kjo e fundit i ka mohuar dhe deri më tani nuk ka asnjë koment as mbi gjyqin e të riut.

Të paktën zëdhënësi i Kremlinit u tha gazetarëve se nuk kishte informacion për këtë proces.

Një ditë më parë Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut votoi me shumicë nisjen e hetimeve për mizoritë e kryera në disa rajone të Ukrainës.

Ekipet e Gjykatës Ndërkombëtare Penale, gjithashtu po hetojnë për krime të mundshme lufte në Bucha ku u gjetën dhjetëra civilë të vrarë në rrugët e qytetit.

EMISIONET