Falimentimi i bankave, SHBA: S’do të ketë paketë shpëtimi. Biden: Financat e individëve e bizneseve, të sigurta

Dy operatorë bankarë amerikanë u mbyllën brenda pak ditësh duke detyruar autoritetet të ndërhyjnë për menaxhimin e situatës. Dy bankat që mbyllën tashmë aktivitetit menaxhonin vetëm një segment të tregut ndërkohë që presidenti amerikan Biden në një mesazh për publikun ka thënë se financir e individëve dhe bizneseve janë të sigurta.

Falimentimi i bankave, SHBA: S’do të ketë paketë

“Signature Bank”, një institucion financiar në Nju Jork me aktivitet të madh huadhënieje të pasurive të paluajtshme që kohët e fundit ishte përfshirë edhe në menaxhimin e depozitave në kriptomonedha, mbylli dyert papritur të dielën, pasi rregullatorët thanë se vazhdimi i aktivitetit mund të kërcënonte stabilitetin e të gjithë sistemit financiar. Nju Jork Times komenton se ajo që ndodhi me Signature Bank është ndikuar nga paniku që pasoi falimentimin e Bankës së Silicon Valley.

Shkak i mbylljes së bankës që financonte kryesisht start-upe u bënë investimet e këqija që çuan në një humbje prej 2 miliardë dollarësh. Edhe pse Banka emëtoi aksione në një vlerë prej 2. 2 miliardë dollarësh, ky hap  nuk arriti ta shpëtonte nga kriza.

Mbyllja e Silikon Vallei Bank ka shkaktuar edhe përplasje politike në SHBA, ku nuk kanë munguar kritikat ndaj Presidentit Joe Biden dhe administratës së tij për mosmarrjen e masave të duhura. Sekretarja e Thesarit Zhanet Jellin deklaroi të dielën se për Silicon Valley nuk do të ketë paketë shpëtimi financiar, por do të punohet për të ndihmuar qytetarët që kanë depozita në këtë bankë, të cilët janë të shqetësuar për fatin e parave të tyre.

Korporata Federale për Sigurimin e Depozitave ofron siguracion për depozitat deri në 250 mijë dollarë. Presidenti Joe Biden iu drejtua qytetarëve me një mesazh duke i garantuar se financat e tyre nuk do të preken

“Populli amerikan dhe bizneset amerikane mund të kenë besim se depozitat e tyre bankare do të jenë aty kur të kenë nevojë. Unë jam i vendosur fort që të mbaj përgjegjësi të plotë për ata që janë përgjegjës për këtë rrëmujë dhe të vazhdoj përpjekjet tona për të forcuar mbikëqyrjen dhe rregullimin e bankave më të mëdha, në mënyrë që të mos jemi më në këtë pozicion”, deklaroi Joe Biden.

Kanë qenë të shumtë republikanët që kanë fajësuar Presidentin Biden për këtë situatë, por nuk kanë munguar edhe zërat që ja faturojnë dështimin e Bankës, ish-presidentit Donald Trump dhe politikave të tija monetare. Hera e fundit që një bankë amerikane e kësaj madhësie u mbyll ishte Uashington Mutjual, në vitin 2008 me 307 miliardë dollarë fonde aktive.

EMISIONET