Erdogan pret në aeroport Blinken, fillojnë menjëherë bisedimet për situatën në Siri
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, mbërriti pasditen e sotme në Ankara, ku u takua me Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, i cili e priti në aeroport. Siç raportohet Ankaraja është ndalesa e dytë e Blinken, pas rrëzimit të presidentit sirian Bashar al-Assad.
Më herët ai ishte në Akaba, ku u takua me mbretin Abdullah II të Jordanisë, me të cilin ranë dakord se stabiliteti dhe siguria në Siri është parësore. Pak para largimit nga Aqaba, Blinken tha se roli i Forcave Demokratike Siriane (SDF), një komponent kryesor i të cilave është milicia kurde siriane, kishte luajtur një rol vendimtar në ndalimin e xhihadistëve të Shtetit Islamik.
“Ne duhet të sigurohemi që IS të mos rishfaqet. Dhe SDF është thelbësore për t'u siguruar që kjo të mos ndodhë," theksoi ai.
SDF kontrollon një pjesë të madhe të Sirisë veriore dhe kurdët kanë krijuar një administratë autonome atje. Megjithëse aleatë të Perëndimit në betejën kundër IS-it, SDF-ja konsiderohet nga Turqia si një degë e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) dhe e cilësuar si organizatë terroriste.
Ndërkohë takimi ndodhi menjëherë pas uljes së Blinken në aeroportin Esenboga të Ankarasë, në zonën Vip. Lidershipi turk pritet të theksojë në takimin me Blinken shqetësimet për stabilitetin në rajon pas zhvillimeve të fundit në Siri.