Ekzekutimi i CEO-s së UnitedHealthcare, vr*sësi 26-vjeçar kundër ekstradimit në Nju Jork
26-vjeçari Luigi Mangione, i akuzuar për vrasjen e drejtuesit të kompanisë së sigurimeve shëndetësore UnitedHealth, Brian Thompson, synon të kundërshtojë ekstradimin nga Pensilvania për në Nju Jork, ku do të përballet me akuzat për vrasje.
Avokati i tij mbrojtës njoftoi gjatë një seance të martën se Mangione po sfidon procesin e ekstradimit, një përpjekje që pritet të zgjasë me javë, megjithëse suksesi i saj është i pamundur.
Mangione u arrestua pas pesë ditësh kërkimesh intensive, kur një punonjës i një restoranti fast food në Pensilvani njohu të dyshuarin nga imazhet e publikuara nga policia. Ai aktualisht përballet edhe me akuza për armëmbajtje pa leje dhe falsifikim në Pensilvani.
Ndërsa hynte në gjykatë i shoqëruar nga policia, ai bërtiti drejt gazetarëve, duke e quajtur situatën "një fyerje për inteligjencën e popullit amerikan", megjithëse nuk ishte e qartë se kujt i drejtohej.
Hetuesit janë përqendruar në gjurmimin e lëvizjeve të Mangione gjatë ditëve para dhe pas ngjarjes, si dhe në identifikimin e mundësisë që ai të jetë ndihmuar nga bashkëpunëtorë. Sipas policisë, vrasja e Thompson duket se ka qenë e qëllimshme. Gjatë arrestimit, Mangione kishte me vete një manifest, përmbajtja e të cilit hodhi dritë mbi motivet e tij të mundshme.
Sipas një raporti të “The New York Times”, bazuar në një dokument të brendshëm të policisë së qytetit të Nju Jorkut, manifestoja e shkruar nga Mangione sugjeronte se ai e shihte aktin e tij si një sfidë kundër korrupsionit në sektorin e kujdesit shëndetësor.
Ky detaj ka shtuar dyshimet mbi natyrën e sulmit, duke lënë të hapur diskutimin për lidhjet mes motivit dhe industrisë që viktima përfaqësonte.