Egjipti mohon të ketë kundërshtuar hapjen e kufirit me Gazën

Egjipti mohon të ketë kundërshtuar hapjen e kufirit me Gazën

Presidenti i Egjiptit, Abdel Fattah el-Sissi, ka mohuar se fillimisht kishte kundërshtuar lejimin e dërgimit të ndihmës humanitare në Gazë përmes pikëkalimit kufitar të Rafahut, derisa presidenti amerikan, Joe Biden, e bindi për të kundërtën.

“Nga momenti i parë, Egjipti ka hapur pikëkalimin kufitar të Rafahut, nga ana e vet e kufirit, pa asnjë kufizim apo kusht dhe ka mobilizuar ndihmë masive humanitare dhe ndihmë tjetër”, tha lideri egjiptian përmes një deklarate për mediat.

Një ditë më parë, Biden mori meritat se kishte bindur el-Sisin – të cilin gabimisht e quajti president të Meksikës – për të hapur pikëkalimin e Rafahut në mënyrë që të dërgoheshin ndihma për Gazën. “Bisedova me të. E binda që të hapte portën”, tha Biden gjatë një konference për media. Në fillim të luftës, Izraeli ndaloi hyrjen e ushqimit, ujit, karburantit dhe furnizimeve të tjera në Gazë, duke u zotuar se nuk do të lejojë asgjë të hyjë në këtë territor derisa Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – të lironin pengjet e marra gjatë sulmeve të 7 tetorit, sulme që nxitën luftën.

Izraeli vazhdimisht ka mbyllur pikëkalimin në Rafah, duke bombarduar pjesën palestineze të kufirit. U desh presion i madh nga SHBA-ja ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, që Izraeli të pajtohej që të lejonte një numër të vogël të kamionëve me ndihmë të hynin në Gazë nga Egjipti. Atëherë, Egjipti vazhdimisht kishte deklaruar se dëshironte të hapte pikëkalimin dhe të lejonte dërgimin e ndihmës. Hezitimi i Egjiptit kishte të bënte më shumë me lejimin e një numri të kufizuar të njerëzve nga Gaza në tokën egjiptiane, duke shprehur frikën për një fluks të madh të regjugjatëve.

El-Sissi fajësoi Izraelin për vonesat në dërgimin e ndihmës në Gazë, duke përmendur sulmet izraelite të kryera në kufi. Kur ndaluan sulmet, tha ai, Egjipti riparoi pikën kufitare dhe lejoi dërgesat me ndihë humanitare./ REL

EMISIONET