E para që nga pushtimi, anija bosh e mallrave mbërrin në portin Chornomorsk të Ukrainës për tu ngarkuar me grurë
Anija e parë e mallrave që nga pushtimi rus ka mbërritur në portin ukrainas të Detit të Zi të Chornomorsk për të transportuar grurë në tregjet ndërkombëtare, njoftoi sot Ministria e Infrastrukturës e Ukrainës.
“Anija Fulmar S ka mbërritur në portin e Chornomorsk dhe është gati për ngarkim”, tha Ministria në Facebook.
Anija e mallrave bosh, me flamurin e Barbados, u nis nga Stambolli të premten dhe pritej të arrinte në portin ukrainas të shtunën. Vonesa u shkaktua nga një pritje 17-orëshe në det të hapur pranë portit të Odesa, sipas zyrtarëve.
Më herët gjatë ditës së sotme, katër anije që transportonin produkte bujqësore ukrainase u nisën nga portet ukrainase të Detit të Zi, si pjesë e marrëveshjes për të rifilluar eksportet e drithit të vendit përmes detit.
Më 22 korrik, Turqia, OKB, Rusia dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje në Stamboll për të rihapur tre porte ukrainase për eksportin e drithit ukrainas, i cili kishte ngecur për muaj të tërë për shkak të luftës Rusi-Ukrainë, tashmë në muajin e gjashtë.
Për të mbikëqyrur eksportet e drithit ukrainas, Qendra e Përbashkët Koordinuese në Stamboll u lançua zyrtarisht më 27 korrik, e përbërë nga përfaqësues nga të tre vendet dhe OKB-ja për të mundësuar transportin e sigurt të produkteve ushqimore dhe plehrave tregtare nga anijet tregtare.