Do heqë ligjin e nënshtetësisë për fëmijët që lindin në SHBA, gjykata amerikane bllokon urdhrin ekzekutiv të Trump
Një gjykatës federal amerikan ka bllokuarpërkohësisht urdhrin ekzekutiv të Presidentit Donald Trump që i jep fund dhënies së nënshtetësisë për fëmijët që lindin në SHBA.
Gjykatësi John Coughenour, i emëruar nga Ronald Reagan e quajti urdhrin ekzekutiv antikushtetues. Gjykatësi pranoi kërkesën e Prokurorit të Përgjithshëm të Uashingtonit, Nick Brown dhe tre shteteve të tjera të udhëhequra nga demokratët, që ndalonte zbatimin e vendimit për të paktën 14 ditët e ardhshme.
Pak orë pasi bëri betimin më 20 janar, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, nënshkroi një mori urdhrash ekzekutivë për të përmbushur premtimet e tij të fushatës. Mes tyre ishte edhe urdhri që ndalon nënshtetësinë automatike për ata që lindin në Shtetet e Bashkuara. I quajtur “Mbrojtja e kuptimit dhe vlerës së shtetësisë amerikane”, urdhri ekzekutiv i Trumpit kundërshton shtetësinë për foshnjat e lindura në SHBA nga prindër që nuk janë as shtetas e as banorë të përhershëm të ligjshëm.
Urdhri ekzekutiv, i cili hyn në fuqi pas 30 ditësh, përkatësisht më 19 shkurt, mund të prekë dhjetëra mijëra fëmijë që lindin çdo vit në SHBA nga prindër që nuk kanë status ligjor, përfshirë fëmijët e njerëzve që u është siguruar azili, por nuk janë ende banorë të përhershëm, si dhe ata të shtetasve të huaj që u është dhënë leja afatgjate e punës, H-1B.