Dhjetëra viktima nga bombardimet mes Izraelit dhe militantëve të Hamasit

Dhjetëra viktima nga bombardimet mes Izraelit dhe militantëve të

Protestat qytetare në Jerusalem po u lënë vendin tani bombardimeve nga ajri dhe përballjes luftarake mes Izraelit dhe palës palestineze.

Brenda pak orëve nga nisja e zjarrit dhe e kundërzjarrit me militantëve të "Hamasit", të paktën 25 palestinezë u vranë nga qindra raketat e lëshuara në Rripin e Gazës.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, tha se me gjasë do të vazhdojnë luftimet ndërkufitare me grupin e cilësuar terrorist prej Izraelit.

"Jemi në luftë në disa fronte: Jerusalem, Gazë dhe kudo tjetër në vend. Këtë mbrëmje, në Ditën e Jerusalemit, organizatat terroriste të Gazës e kaluan vijën e kuqe me sulmet e tyre."

Si kundërpërgjigje, Izraeli njoftoi se mes palestinezëve të vrarë, 15 janë komandantë të Hamasit dhe dy figura të një grupi xhihadist.

Ushtria izraelite është mobilizuar me 5 mijë ushtarë rezervë përgjatë Gazës ndërsa ka pritur mbi 300 raketa kundërshtare.

"Fatmirësisht mbi 90 për qind e tyre janë interceptuar nga sistemi kundërajror. Ne kemi goditur 130 objektiva brenda Rripit të Gazës që i përkasin Hamasit dhe terroristëve të Xhihadit Islamik, teksa planifikonin sulme kundër Izraelit."

Tensionet e fundit vijnë një ditë pas përleshjeve mes myslimanëve dhe forcave izraelite në xhaminë e Al-Aksës.

Ngjarja provokoi Hamasin që i dha ultimatum Izraelit të tërhiqej nga zona e shenjtë e Jerusalemit ose të përballej me pasojat.

Fuqitë rajonale, Turqia, Arabia Saudite dhe shtetet islamike akuzojnë Izraelin se me sulmet në Gazë po e përshkallëzon më tej situatën.

EMISIONET