Dëmtohet imazhi i Ukrainës, qeveria e Zelensky-t nis aksionin kundër korrupsionit
Ukraina paralelisht është duke zhvilluar dy luftra, luftën kundër agresionit rus dhe atë kundër korrupsionit qeveritar. Pas lajmeve të publikuara presidenti ukrainas ka nisur aksionin kundër korrupsionit në përpjekte për të rifituar besimin e humbur të qytetarëve për përdorimin e ndihmave monetare.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky po përpiqet të rifitojë besimin e humbur të qytetarëve të tij, pas lajmeve të publikuara mbi korrupsionin e lartë të disa qeveritarëve, 11 prej të cilëve ose kanë dhënë dorëheqjen, ose janë shkarkuar nga posti i tyre.
Madje kjo çështje ka tërhequr vëmendjen e disa politikanëve në SHBA, të cilët kanë bërë thirrje që ndihmat për Ukrainën të kufizohen.
Akuzat për korrupsion qeveritar u inkurajuan nga Mykhaylo Tkach, një gazetar investigativë, i cili ka raportuar së fundmi se kompania e trajnerit personal të një zyrtari të lartë, dyshohet se ka marrë miliona paund që nga nisja e luftës, si dhe nga një tjetër histori për nënkryetarin e zyrës së Presidentit Zelensky.
Kyrylo Tymoshenko dha dorëheqjen dy muaj pasi Tkach raportoi se ai kishte zhvendosur familjen e tij në rezidencën e një ndërtuesi të njohur pronash.
Gazetari publikoi edhe pamjet në të cilat dukej zyrtari, duke drejtuar një Porsche të shtrenjtë për disa muaj. Kur burimi i parave të tyre nuk është i qartë, ata i regjistrojnë tek njerëzit e afërt. Këto janë shenja të mostransparencës, në një kohë kur çdo hap i një zyrtari duhet të jetë i qartë për shoqërinë, është shprehur gazetari.
Yaroslav Yurchyshyn nënkryetar i komisionit parlamentar kundër korrupsionit, shprehet se partnerët perëndimorë e kuptojnë se bëhet fjalë për dy luftëra, e para kundër Rusisë dhe më pas lufta jonë e brendshme për të ardhmen e Ukrainës.
Përpara nisjes së agresionit rus aleatët perëndimorë si Bashkimi Evropian dhe SHBA nuk ishin të kënaqur, përpjekjet e Kievit për të luftuar korrupsionin.