Dëmet nga minierat metalike, ekspertët: 164 mijë km katrorë sipërfaqe toke të kontaminuara
Të paktën 23 milionë njerëz në mbarë botën preken nga mbetjet e dëshme toksike që lë pas aktiviteti i nxjerrjes së metaleve në miniera.
Shkencëtarët në Mbretërinë e Bashkuar studiuan 22 mijë e 609 miniera aktive dhe 159 mijë e 735 të braktisura në botë dhe llogaritën shkallën e ndotjes prej tyre.
Të prekurit jetojnë në mjedise me përqëndrim të lartë merkuri dhe arseniku që rrjedhin nga aktivitetet minerare.
Specialistët vlerësojnë se me anë të lumenjve janë kontaminuar rreth 164 mijë km katrorë sipërfaqe toke me elementet toksike, duke shkaktuar pasoja tek njerëzit.
Ata ngrenë alarmin duke bërë thirje që minierat e ardhshme të planifikohen me shumë kujdes.
“Kjo është veçanërisht kritike pas rritjes së kërkesës për metale që do të mbështesin teknologjinë e baterive dhe elektrifikimin, duke përfshirë litiumin dhe bakrin”, shpjegojnë shkencëtarët.
Studimi ka nxjerrë në pah se bimët e rritura nga uji i ndotur përmbajnë përqendrime të larta të metaleve, gjithashtu në rrezik janë dhe kafshët që kullosin në ato sipërfaqe.
Studiuesit theksojnë se minierat e metaleve janë forma më e hershme e ndotjes së mjedisit nga njeriu.
Ato kanë filluar kontaminimin e sistemeve të lumenjve që 7 mijë vjet më parë.