Covid-19, Britania regjistron numrin më të madh të viktimave që prej marsit, kërkohet rikthimi i kufizimeve

Covid-19, Britania regjistron numrin më të madh të viktimave

Shërbimi Shëndetësor Kombëtar në Angli ka deklaruar se vendi do të duhet të rivendosë menjëherë disa kufizime për parandalimin e përhapjes së Covid nëse do të shmangë një valë dimërore nga pandemia.

Ekspertë të NHS-së vlerësojnë se duhet të zbatohet  strategjia mbështetëse e "Planit B" të qeverisë që parashikon mbajtjen e maskës në ambjente të mbyllura dhe vende të tjera të mbipopulluara me njerëz ku distanca fizike është e pamundur të ruhet.

Deri më tani, Qeveria britanike ka diskutuar pak për mundësinë e kthimit të masave kufizuese.

Në Britani masat si vendosja e detyrueshme e maskës në ambiente të brendshme, kërkesa për vaksinim, apo test negativ në koronavirus, janë shfuqizuar në muajin korrik.

Deri më tani, 79 për qind e popullatës mbi 12 vjeç janë imunizuar plotësisht kundër koronavirusit.

Numri i viktimave me koronavirus në Britani të Madhe është rritur në shkallën më të lartë prej muajit mars.

Autoriteti i Statistikave në këtë shtet ka raportuar se 223 persona kanë vdekur brenda 28 ditëve të testimit pozitiv në COVID-19, sëmundjen që shkakton koronavirusi.

Kjo ka qenë shifra më e lartë e viktimave brenda një dite, prej 9 marsit, kur janë regjistruar 231 viktima.

Shifra totale e viktimave ka shkuar në 138,852. Këtë të hënë u regjistruan gati 50,000 raste të reja me koronavirus.

EMISIONET