Brazili kalon gjysmë milioni vdekje nga Covid-19, protesta kundër presidentit Bolsonaro

Brazili kalon gjysmë milioni vdekje nga Covid-19, protesta kundër

Brazili kaloi në fundjavë pragun tragjik të 500 mijë viktimave prej pandemisë, duke u bërë vendi i dytë me më shumë të vdekur nga sëmundja që deri tani ka vrarë mbi 3 milionë e 850 mijë veta në gjithë botën. Shumë qytete zhvilluan protesta kundër presidentit Bolsonaro.

Brazili është bërë vendi i dytë në botë që i kaloi gjysmë milion viktima prej koronavirusit.

Vendi më i madh i Amerikës Latine e arriti bilancin tragjik të shtunën, 500,800 vdekje gjithsej, nga të cilat 2,300 në 24 orët e fundit, edhe pse dyshohet se shifra është më e lartë.

Qytetarët fajësojnë presidentin Zhair Bolsonaro për situatën, pasi prej fillimit të pandemisë e ka nënvlerësuar rrezikun e sëmundjes infektive dhe vijon t'i kundërshtojë masat kufizuese antikovid.

Në qytetin e madh të San-Paolos, me mijëra veta kërkuan largimin nga detyra të Bolsonaros.

"Mendoj se është e nevojshme që njerëzit të protestojnë në rrugë. Kemi arritur një numër absurd viktimash, dhe mendoj se qeveria federale ka luftuar fort kundër opinionit shkencor."

"Me pandeminë vepruam krejt të kundërtën e vendeve të tjera. Kemi një nga sistemet shëndetësore më të mira në botë por prej strategjisë së gabuar përfunduam shumë keq."

"Dua që presidenti të shkarkohet. Dua që Brazili të jetë sërish i lumtur, me shpresë."

Situatën me virusin në Brazil nuk e ka lehtësuar as fushata e vaksinimit, dhe akuzat përsëri i janë drejtuar kreut të shtetit se po vonon prokurimin e vaksinave pasi është skeptik ndaj tyre.

Rreth 30 për qind e brazilianëve kanë marrë dozën e parë të vaksinës antikovid dhe vetëm gjysma i kanë kryer të dyja dozat e nevojshme.

Ndërsa 80 për qind e shtretërve spitalorë janë të zënë me pacientë, sipas ekspertëve pritet që me futjen e stinës së dimrit nga e java e ardhshme të shtrihet më tej vala e infektimit.

EMISIONET