Bombardimet izraelite në Rripin e Gazës, vritet udhëheqësi i Xhihadit Islamik

Bombardimet izraelite në Rripin e Gazës, vritet udhëheqësi

Ushtria izraelite nisi sot një valë sulmesh ajrore dhe bombardimesh në Rripin e Gazës duke synuar grupin militant të Xhihadit Islamik, i cili nga ana e tij akuzoi shtetin hebre se dëshiron të "fillojë një luftë" kundër popullit palestinez.

Ministria palestineze e Shëndetësisë tha se shtatë persona u vranë, përfshirë një vajzë pesëvjeçare dhe të paktën 40 u plagosën.

Ushtria izraelite po "bombardon Rripin e Gazës" dhe ky operacion ka në shënjestër grupin e Xhihadit Islamik, tha ushtria në një deklaratë.

Xhihadi Islamik njoftoi menjëherë pas se një nga liderët e grupit, Tayseer al-Jabari, u vra në një nga ato sulme.

“Armiku ka nisur një luftë kundër popullit tonë dhe ne duhet të mbrojmë kolektivisht veten dhe popullin tonë, ne nuk do të lejojmë që politikat e armikut tonë të minojnë rezistencën tonë”, tha Xhihadi Islamik në një deklaratë.

Bombardimet izraelite në Rripin e Gazës, vritet udhëheqësi

Disa palestinezë u plagosën në bastisjet në Khan Younis, në jug të Gazës, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Hamasit.

Dëshmitarët okularë dhe burimet palestineze të sigurisë thanë për AFP se panë disa sulme, duke përfshirë një në qytetin qendror të Gazës.

Bastisjet pasuan arrestimin të hënën të një figure të lartë të Xhihadit Islamik në Bregun Perëndimor të pushtuar, Bassem Saadi. 

Autoritetet izraelite kishin frikë nga sulmet hakmarrëse nga Rripi i Gazës, një enklavë e kontrolluar nga islamistët Hamas, ku është vendosur edhe Xhihadi Islamik.

Pak para bombardimit, ministri izraelit i Mbrojtjes Benny Gantz pohoi se forcat izraelite po përgatiteshin për çdo veprim që do të ndërmerrej në të gjitha frontet, në zonat veriore, qendrore dhe jugore të Izraelit.

“Armiqve tanë, dhe veçanërisht liderëve të Hamasit dhe Xhihadit Islamik Palestinez, do të doja tu theksoja: Koha juaj po mbaron. Kërcënimi (për Izraelin jugor) do të eliminohet në një mënyrë ose në një tjetër", tha ai, sipas një deklarate.

Ushtria izraelite të martën urdhëroi mbylljen e pikave kufitare, duke detyruar mijëra qytetarë të Gazës me leje pune në Izrael të qëndrojnë në shtëpitë e tyre. 

Mbyllja e pikave kufitare ngadalësoi shpërndarjen e karburantit dizel, që zakonisht dërgohej me kamion nga Egjipti ose Izraeli dhe që nevojitej për të furnizuar me energji termocentralin e Gazës.

Ky termocentral unik rrezikon të mbyllet për shkak të mungesës së karburantit, paralajmëroi menaxheri i tij dje, të enjten me 4 gusht.

Rreth 50 njerëz që normalisht largohen nga enklava çdo ditë për të marrë trajtim janë prekur gjithashtu, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Që nga viti 2007, shteti hebre ka vendosur një bllokadë të rreptë ndaj Gazës, një enklavë prej 2.3 milionë banorësh të minuar nga varfëria dhe papunësia.

EMISIONET