Blinken për Zërin e Amerikës: Stërvitjet ushtarake të Kinës rreth Tajvanit, të rrezikshme

Blinken për Zërin e Amerikës: Stërvitjet ushtarake të

Kina njoftoi se po pezullonte bisedimet me Shtetet e Bashkuara mbi çështje ushtarake, ndryshimet klimatike e çështje të tjera, reagim që pason vizitën e Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, Nancy Pelosi në Tajvan këtë javë. Gjatë një vizite në Kamboxhia, Sekretari i Shtetit Antony Blinken bisedoi me Zërin e Amerikës lidhur me tensionet në rajon.

Televizioni shtetëror kinez publikoi të enjten pamje nga manovrat ushtarake të Pekinit rreth Tajvanit. Zëri i Amerikës nuk mund të verifikojë saktësinë e pamjeve.

Shkalla dhe intensiteti i paprecedentë i stërvitjeve kanë shkaktuar zemërim dhe shqetësim ndërkombëtar. Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken foli për Zërin e Amerikës gjatë një vizite në Kamboxhia të premten.

“Reagimi i Kinës është tejet i shpërpjesëtuar dhe i rrezikshëm. Sido që të ndjehet për vizitën, lëshimi i 11 raketave balistike, disa madje mbi Tajvan dhe rrethimi i tij me anije luftarake nuk ka kuptim. Pesë nga raketat ranë pranë Japonisë. Reagimet nga vendet e rajonit, përfshirë deklaratën e ASEAN-it, tregojnë shqetësimin e vërtetë se sa destabilizuese dhe të rrezikshme mund të jenë këto veprime”, tha kryediplomati Blinken.

Zoti Blinken mori pjesë në një takim të nivelit të lartë të ASEAN-it në Phnom Penh. Në një bisedë me Zërin e Amerikës, eksperti për Azinë Jugore dhe Qendrore në Qendrën Woodrow Wilson, Michael Kugelman, pajtohet me deklaratat e kryediplomatit amerikan. Ai thotë se stërvitjet ushtarake të Kinës janë një kërcënim i drejtpërdrejtë për aleatët kryesorë të Amerikës në rajon.

“Një nga shqetësimet më urgjente për Shtetet e Bashkuara është se aleatët e saj në Azi, si Japonia dhe Koreja e Jugut, preken drejtpërdrejt nga manovrat e Kinës në rajon ditët e fundit”.

Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, ishte gjithashtu në takimin e ASEAN-it. Kina tha se po pezullon dialogun me Uashingtonin për marrëdhëniet ushtarake, ndryshimet klimatike dhe çështje të tjera. Zoti Wang fajësoi për tensionet Uashingtonin dhe zonjën Pelosi.

“Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, Pelosi injoroi kundërshtimin e vendosur të Kinës dhe negociatat e përsëritura. Vizita e saj u miratua dhe u organizua nga qeveria e amerikane”.

Zonja Pelosi dhe delegacioni i Kongresit qëndruan në vendet aleate, Korenë e Jugut dhe Japoni, ndërsa i dhanë fund turneut të bujshëm në Azi. Zonja Pelosi mbrojti përsëri vizitën e saj në Tajvan.

“Zhvilluam vizita të nivelit të lartë, senatorët e të dy partive në veprim. Nuk do t’i lejojmë që ta izolojnë Tajvanin. Ata, qeveria kineze nuk e përcakton punën tonë”.

Analisti Michael Kugelman i tha Zërit të Amerikës se beson se situata e krijuar rreth Tajvanit nga Kina ende nuk është një krizë, por është fare pranë kësaj.

“Mendoj se situata ka arritur në një pikë shumë të pasigurt, një hap larg një krize ose një lloj llogaritjeje të gabuar ose një lloj komenti në kohë të gabuar ose diçka që mund të provokojë një përshkallëzim që çon në një krizë. Askush nuk dëshiron të shohë një krizë, aq më tepër një konflikt”.

Sekretari Blinken tha se Shtetet e Bashkuara dhe Kina duhet të veprojnë me përgjegjësi. Ajo që ne nuk duam, tha ai, janë përpjekjet e çdo vendi, përfshirë Kinën dhe Rusinë, për të trazuar paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

 

EMISIONET