‘Bisedimet midis Macron dhe zyrtarëve të lartë amerikanë ishin konstruktive dhe pozitive’, thotë zyrtari francez

‘Bisedimet midis Macron dhe zyrtarëve të lartë

Bisedimet në Paris për çështjen e Ukrainës, të mbajtura mes presidentit francez Emmanuel Macron dhe zyrtarëve të lartë amerikanë, janë cilësuar si pozitive dhe konstruktive, sipas një burimi nga presidenca franceze, raporton agjencia Reuters.

Takimi u zhvillua në një kohë kur shqetësimet po rriten lidhur me pozicionin e dobësuar të Ukrainës në tryezën e negociatave të udhëhequra nga SHBA, për t’i dhënë fund luftës me Rusinë.

Në këtë takim morën pjesë Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, si dhe i dërguari presidencial Steve Witkoff, të cilët patën një drekë pune me presidentin Macron.

Sipas zëdhënëses së Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce, gjatë takimit u diskutua me përfaqësuesit evropianë për mënyrat e çuarjes përpara të qëllimit të presidentit Donald Trump për t’i dhënë fund konfliktit Rusi-Ukrainë dhe për të ndaluar gjakderdhjen.

Ky takim në Paris vjen pas disa javësh përpjekjesh diplomatike të Uashingtonit për të ndërmjetësuar një armëpushim në Ukrainë.

Megjithatë, në prapaskenë, nuk mungojnë edhe pakënaqësitë me disa veprime të administratës Trump, përfshirë vendosjen e tarifave ndaj aleatëve perëndimorë, qëndrimet e diskutueshme për NATO-n dhe komentet mbi territorin e Grenlandës.

Zyrtari francez shtoi se takimi i së hënës shënon nisjen e një procesi të ri negociator ku janë të përfshirë edhe partnerët evropianë.

“Ajo që është e rëndësishme është se sot në Paris kemi nisur një proces të ri, ku evropianët marrin pjesë aktivisht. Takimi i radhës në këtë format do të zhvillohet javën e ardhshme në Londër”, deklaroi ai.

EMISIONET