Policia shtyp protestat në Kinë, kritika për Biden se po tregohet "i butë" me presidentin kinez

Pak ditë nga nisja e tyre policia kineze është përpjekur të shuajë me dhunë protestat paqësore kundër masave të pajustifikuara të autoriteteve. Republikanët thonë se Administrata Biden po tregohet e butë me udhëheqësin komunist.

Policia shtyp protestat në Kinë, kritika për Biden se po tregohet

Protestat në Kinë kundër kufizimeve të pajustifikuara për koronavirus duket se janë shtypur si pasojë e përgjigjes së autoriteteve policore me dhunë.

Të martën është raportuar për prezencë të madhe policore në disa qytete dhe për pasojë disa organizime kanë dështuar.

Disa pamje tregojnë policët që ndalojnë qytetarët të cilëve u kërkojnë të fshijnë fotot dhe videot që kanë filmuar në protestë.

Megjithatë, kinezët kanë vazhduar protestat në vende tjera të botës.

Shumë persona janë mbledhur para ambasadave kineze në qytetet si Londër, Paris dhe Tokio, si dhe para universiteteve në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë.

Republikanët pranë ish-presidentit Trump akuzojnë Joe Biden për përgjigje të moderuar ndaj Kinës.

Kujtojmë që Biden reagoi për protestat e dhunshme në Iran muajin e kaluar.

Protestat kanë nisur javën e kaluar si shenjë pakënaqësie pas zjarrit që ka shpërthyer në qytetin Urumqi, në perëndim të Kinës, duke lënë të vdekur 10 persona.

Protestuesit kanë thënë se banorët nuk kanë mundur t’iu ikin flakëve për shkak të kufizimeve për koronavirus.

Autoritetet, në anën tjetër, kanë hedhur poshtë diçka të tillë.

Përveç dhënies fund të kufizimeve për pandeminë, në protesta janë bërë edhe thirrjet e rralla për dorëheqjen e presidentit Xi Jinping.

EMISIONET