Arrestohet ish-presidenti katalonas/ Kërkohet nga Spanja për rebelim kundër shtetit

Arrestohet ish-presidenti katalonas/ Kërkohet nga Spanja për rebelim

Ish-presidenti katalonas, Karles Puxhdemon, pritet të përballet me akuzën e rebelimit ndaj shtetit spanjoll.

Eurodeputeti u arrestua të enjten nga policia në ishullin italian të Sardenjës, me një urdhërndalim ndërkombëtar.

58-vjeçari akuzohet për tentativën e vitit 2017 për të shpallur pavarësinë e Katalonjës, pas një referendumi popullor ku shumica votoi për shkëputjen e rajonit nga territori spanjoll.

Prej vitesh Puxhdemon qëndronte në Belgjikë për t'i shpëtuar arrestimit.

Në muajin mars, Parlamenti Europian vendosi t'i heqë imunitetin katalonasit dhe dy eurodeputetëve të tjerë që kërkojnë pavarësimin e Katalonjës.

Katalonja është një rajon autonom në verilindje të Spanjës dhe drejtohet nga presidenti i ri, Pere Aragones, i cili mbron bindjet separatiste të paraardhësit por ka bërë thirrje t'i jepet fund përndjekjes politike dhe gjyqësore të Puxhdemonit.

Dy ish-ministra katalonas po ashtu kërkohen për veprën penale të kryengritjes ndaj pushtetit spanjoll në lidhje me referendumin e tetorit 2017.

EMISIONET