ARMËPUSHIM I BRISHTË/ Iran - Izrael i ndalin sulmet, por kërcënojnë me hakmarrje

Irani dhe Izraeli kanë njoftuar ndërprerjen e sulmeve ndaj njëri-tjetrit pas përshkallëzimit më të fundit ushtarak që rrezikoi të rikthente rajonin në një konflikt të gjerë. Megjithatë, të dyja palët kanë paralajmëruar se do të reagojnë ashpër nëse armëpushimi shkelet sërish.

ARMËPUSHIM I BRISHTË/ Iran - Izrael i ndalin sulmet, por

Një armëpushim i brishtë po mban larg për momentin përplasjen e drejtpërdrejtë mes Iranit dhe Izraelit. Pas shkëmbimeve të reja të sulmeve gjatë fundjavës, të dyja vendet kanë deklaruar se kanë ndalur operacionet ushtarake, por kanë paralajmëruar për hakmarrje të menjëhershme në rast të shkeljes së marrëveshjes.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se Izraeli po e mban zjarrin të ndalur “për momentin”, por theksoi se lufta kundër Iranit dhe Hezbollahut nuk ka përfunduar.

Nga ana tjetër, forcat e armatosura iraniane deklaruan se operacionet u ndalën pas asaj që e quajtën një “përgjigje të dhimbshme” ndaj Izraelit, duke paralajmëruar masa edhe më të ashpra nëse sulmet përsëriten.

Përshkallëzimi i fundit nisi pasi Irani lëshoi raketa drejt Izraelit në reagim ndaj një sulmi izraelit në Bejrut. Izraeli u kundërpërgjigj me sulme ndaj objektivave ushtarake në territorin iranian, duke shkaktuar viktima dhe të plagosur.

Në sfond të krizës qëndrojnë përpjekjet diplomatike të Shteteve të Bashkuara. Presidenti Donald Trump deklaroi se është shumë pranë një marrëveshjeje me Iranin dhe se ka kërkuar nga të dyja palët të shmangin veprimet që mund të sabotojnë procesin negociues.

Ndërsa në një artikull të CNN, shkruhet se Kanë kaluar më shumë se dy muaj që kur Presidenti Donald Trump njoftoi një armëpushim me Iranin, duke thënë plotë 37 herë se nga 7 prilli deri me sot se  të dyja palët ishin afër një marrëveshjeje.

Nga ana tjetër analistët vlerësojnë se tensionet e fundit mund të kenë forcuar pozicionin negociues të Teheranit. Irani po përpiqet të sigurojë lehtësim të sanksioneve ekonomike dhe të kufizojë operacionet izraelite kundër Hezbollahut në Liban, ndërsa Uashingtoni synon të shmangë një konflikt më të gjerë rajonal.

Megjithëse armët janë heshtur për momentin, paralajmërimet e ndërsjella tregojnë se situata mbetet e paqëndrueshme dhe se çdo incident i ri mund ta rikthejë rajonin në prag të një përballjeje të re ushtarake.

]

EMISIONET