A do të ketë armëpushim në Gaza? Kreu i grupit të Hamas thotë se marrëveshja është afër
Gati 2 muaj nga sulmi i militantëve të Hamas ndaj izraelit, kreu i grupit ka përhapur lajmin se është pranë një marrëveshjeje armëpushimi. Në deklaratë, Haniyeh thotë se Hamasi i ka dhënë përgjigjen e tij pozitive ndërmjetësuesve të Katarit.
Ndonëse ai nuk dha detaje se çfarë forme do të kishte armëpushimi, një zyrtar i Hamas tha për Al Jazeera se negociatat ishin përqendruar në sa kohë do të zgjaste, së bashku me dërgesat e ndihmave në Gaza dhe shkëmbimin e pengjeve, mbi 200 izraelitëve që nga 7 tetori nuk kanë mundur të gjejnë ende lirinë.
Hamasi thotë se i ka fshehur në “vende dhe tunele të sigurta” brenda Gazës teksa Forcat e Mbrojtjes të Izraelit sipas të dhënave tregojnë se ndër ta përfshihen 20 fëmijë dhe 10 deri në 20 të tjerë të moshës mbi 60 vjeç.
Sipas këtyre detajeve bëhet fjalë për lirimin në fazën e parë të 50-100 pengjeve, të cilët janë civilë izraelitë ose nga kombësi të tjera, por jo ushtarë.
Në këmbim sipas medieve ndërkombëtare 300 palestinezë , përfshirë gra dhe fëmijë, do të liroheshin nga burgjet izraelite. Megjithatë detajet e marrëveshjes do të jepen nga vetë Katari.
Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, i cili ndihmoi në lehtësimin e marrëveshjeve të mëparshme, ka rritur më tej shpresat duke thënë se kreu i tij po takohet gjithashtu me Hamasin.
Pavarësisht këtyre deklaratave, Izraeli ende nuk ka dhënë qëndrimin e saj për një armëpushim. Vetë kryeministri izraelit në daljen e tij të fundit për këtë çështje theksoi se nuk do të ndalen deri në shkatërrimin e Hamas.