8 milionë euro drogë/ Shkatërrohet grupi i trafikantëve me 40 italo-shqiptarë
40 shtetas italianë e shqiptarë janë vënë në masën e ndalimit në operacionin e koduar "Family&Friends", nën akuzën e trafikut të 660 kg lëndë narkotike me vlerë fitimi 8 milionë euro.
23 prej tyre janë vënë në burg e 17 të tjerë nën arrest shtëpiak si anëtarë të një grupimi kriminal që kontrollonte trafikun e kokainës e hashashit në territorin e Cagliarit e Sassarit, falë dhe një rrjeti të zgjeruar korrierësh droge e lidhjesh me grupe të tjerë trafikantësh spanjollë e shqiptarë nga të cilët furnizoheshin me lëndë narkotike.
Në bazë të elementëve investigativë është dokumentuar se dhe para nisjes së hetimeve ky grupim kishte trafikuar mbi 1 tonë hashash.
Hetimet kanë vërtetuar se bëhet fjalë për një strukturë të qëndrueshme kriminale e aftë të kryente trafik ndërkombëtar droge përmes korrierëve të specializuar, identiteti i të cilëve mbahej sekret për të evituar çdo rrjedhje informacioni, si dhe me kujdesjen për t'i shpëtuar përgjimeve ambientale e telefonike duke evituar kontaktet telefonike e duke përdorur një gjuhë të kriptuar.
Operacioni i sotëm "Family&Friends" ka konfirmuar se rajoni i Sardenjës gjatë viteve të fundit është bërë një kryqëzim i rëndësishëm i rrugëve europiane të trafikut të drogës. Operacioni u krye nën koordinimin e Drejtorisë së Antimafias së Cagliarit.