43 majmunë arratisen nga laboratori kërkimor amerikan

43 majmunë arratisen nga laboratori kërkimor amerikan

Në South Carolina, 43 majmunë janë arratisur nga një laborator kërkimor pasi një kujdestar la të hapur një derë të kafazit. Majmunët e arratisur, të llojit makakë rhesus, u larguan nga objekti "Alpha Genesis", një kompani që rrit primatë për testime mjekësore, dhe tani janë në zonën e njohur si Lowcountry.

Autoritetet kanë bërë thirrje që banorët të mbyllin dritaret dhe dyert dhe të raportojnë çdo shfaqje të majmunëve. Sipas Departamentit të Policisë në Yemassee, majmunët janë femra të reja që peshojnë rreth 3.2 kg secila. Kompania ka arritur të gjejë grupin, por policia u kërkoi qytetarëve të mos i afrohen, pasi janë të frikësuar dhe po përpiqen t’i tërheqin me ushqim.

Për kapjen e majmunëve, policia ka vendosur kurthe dhe përdor kamera termale për t’i lokalizuar. Përfaqësuesit e kompanisë sqaruan se majmunët janë shumë të rinj për të mbartur sëmundje, ndërsa drejtori i Alpha Genesis, Greg Westergaard, e quajti arratisjen "frustruese" dhe shprehu shpresën se majmunët do të kthehen vetë në objekt.

Sipas tij, majmunët janë “të fshehur në pyll” dhe janë të prirur të ndjekin njëri-tjetrin. Ai shtoi se "ka pak ushqim në pyll, por mungojnë mollët që ato preferojnë", duke shpresuar se kjo do t’i tërheqë majmunët brenda disa ditëve.

Ky nuk është rasti i parë i arratisjeve nga ky laborator; më parë, 19 majmunë shpëtuan në vitin 2016 dhe 26 të tjerë dy vite më parë.

Ndërkohë, Kongresistja Nancy Mace deklaroi se zyra e saj po ndjek nga afër situatën për të mbajtur të informuar qytetarët e zonës.

EMISIONET