Kryeministri i Libanit, Hassan Diab, tha se ata që janë përgjegjës për shpërthimin në një depo “të rrezikshme” në zonën e portit të Bejrutit do të “paguajnë çmimin”.

“Unë ju premtoj se kjo katastrofë nuk do të kalojë pa u gjetur përgjegjësit. Ata do të paguajnë çmimin”, tha ai në një fjalim televiziv.

Zëdhënësi i Kombeve të Bashkuara, Farhan Haq u tha gazetarëve se nuk ishte menjëherë e qartë se cili ishte shkaku dhe se nuk kishte asnjë indikacion për ndonjë dëmtim të ndonjë personelit të OKB-së.

Departamenti i Mbrojtjes në SHBA tha se “jemi të vetëdijshëm për shpërthimin dhe jemi të shqetësuar për viktimat e mundshme për shkak të një shpërthimi kaq masiv”.

Komisionari për Zgjerim, Oliver Varhelyi, tha se BE-ja u ofron mbështetje popullit dhe autoriteteve të Libanit.

Edhe presidenti shqiptar Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama shprehën solidaritetin me popullin e Libanit.

“Mendimet dhe lutjet e mia janë me familjet e viktimave dhe të lënduarit nga shpërthimi tragjik në Bejrut! Solidarizim me popullin e Libanit” – shkruan Meta në Facebook.

“Çfarë lëndimi e trishtimi! Vdekje, plagosje, shkatërrim që le pa frymë e pa fjalë!Ngushëllime e solidaritet me popullin e Libanit” – shkruan Rama në Twitter.

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj, gjithashtu shprehu ngushëllime për viktimat.

Përmes një postimi në rrjetin social Twitter ajo tha se “mendimet dhe lutjet tona janë me njerëzit e Libanit”.