Boshllëku i Ganxhës, ''epiqendra'' e konfliktit Azerbajxhan-Armeni

Boshllëku i Ganxhës, ''epiqendra'' e konfliktit

Dhjetëra viktima kanë shkaktuar luftimet e ditëve të fundit midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, të përqëndruara në rajonin e Nagorno-Karabakh. Edhe pse zyrtarisht ky rajon konsiderohet pjesë e Azerbajxhanit, është Armenia që kontrollon 20% të territorit të tij, pas luftës së vitit 1992.

Drejtuesit në Baku bëjnë me dije se gjatë përplasjes së fundit u arrit shtyrja e grupeve separatiste armene përtej asaj që njihet si boshllëku i Ganxhës, e që në fakt eshte edhe epiqendra e konfliktit midis dy shteteve.

Boshllëku i Ganxhës e ka marr emrin nga qyteti më i madh në rajon dhe i dyti për nga rëndësia në Azerbajxhan. Ka një gjerësi rreth 100 kilometra dhe është një prej rrugëkalimeve strategjike jo vetëm për Azerbajxhanin, por edhe për interesat e aktorëve të mëdhenj gjeopolitik. Është kjo hapësirë e cila shërben për të shmangur Iranin dhe Rusinë në transportin e mallrave dhe më kryesorja të gazit që del nga Deti Kaspik.

Azerbajxhani është shteti i vetëm që kufizohet njëkohësisht me Rusinë dhe Iranin, ndaj Europa dhe SHBA-të janë treguar të kujdesshme për të ruajtur marrëdhënie të mira e të qëndrueshme me regjimin në Baku.

Në boshllëkun e Ganxhës kalojnë tre tubacione gazi, midis tyre edhe tubacioni i Kaukazit Jugor, që është edhe pikënisja e gazsjellësit TAP, i cili kalon gjithashtu përmes Shqipërisë. Zbulimet gazit dhe naftës në rajon e kanë kthyer Azerbajxhanin në furnizues të rëndësishëm të gazit për Turqinë dhe Evropën. Për ekspertët e sigurisë çdo metër kub gaz i transportuar nga Kaspiku në drejtim të Evropës është një ndikim më pak i Rusisë mbi Evropën.

Hekurudha Baku–Tbilisi–Kars kalon gjithashtu në boshllëkun e Ganxhës dhe është një element i rëndësishëm për Kinën në planin e saj për funksionalizimin e Rrugës së re të Mëndafshit. Në këtë linjë transportohen mbi 6.5 milion tonë mallra, me një parashikim që në të ardhmen të arrihet në mbi 17 milionë ton mallra.

Korridori rrugor E60 që është i dyti në Europë për nga gjatësia kalon gjithashtu në rajonin e kontestuar. Pikënisja e tij është në Brest të Francës, qytet në oqeanin atlantik dhe përfundon ne kufirin midis Kirigistanit dhe Kinës. Në boshllëkun e Ganxhës kalojnë gjithashtu kabujt e fibrave optik që lidhin Europën me rajonin e Kaspikut.

Dukshëm ky rajon përbën rëndësi të jashtëzakonshme gjeostrategjike, duke shërbyer si bypass ndaj Rusisë dhe Iranit. Gjatë tre dekadave të fundit Armenia e ka parë veten jashtë çdo projekti strategjik në fushën e gazit dhe të transportit, ndërkohë që akuzon Turqinë se mbështet Azerbajxhanin në përshkallëzimin e konfliktit midis dy shteteve.

Në anën tjetër azerët nuk kanë lëshuar akuza publike ndaj dy fqinjvë të mëdhenj, si Rusia e Irani, ndonëse këto të fundit konsiderojnë Armeninë si partnerin strategjik në rajon.

Bota Lajme azerbajxhan-armeni boshlleku i ganxhes

EMISIONET