Pas gjysmës së parë të korrikut, pushuesit i janë drejtuar jugut të vendit.

Pushuesit shqiptarë, por edhe italianë e polakë kanë filluar t’i japin shijen e munguar të turizmit bregdetit të Borshit.

Sipas operatorëve turistikë, frekuentuesit nuk janë vetëm në fundjavë, çka ka sjellë shpresë dhe te bizneset.

”Amosfera po rritet, janë javorë. Sot kam parë që kanë ardhur me ditë të zgjatura. Të huaj ka shumë pak, për shkak të bllokimit të rrugëve nga Covid-19. Pres të rritet fluksi për pushime, nuk do e arrijmë atë që kemi arritur vitet e tjera, por jam optimiste.”

Edhe pse nën masa të rrepta sigurie për shkak të Covid-19, turistët nuk ndihen të shqetësuar për sa kohë gjejnë pastërti.

”Ndjehemi shumë mirë, qoftë edhe për pjesën e pastërtisë. Nuk ka asnjë lloj problemi, në momentin që jemi në natyrë le të ketë fluks.”

Plazhet e Borshit nuk i ngjajnë atyre të viteve të mëparshme, por sinjalet e para pozitive të turizmit kanë kthyer optimizmin në një nga perlat e bregdetit shqiptar.