Kryetari i Bashkisë Tiranë në një mbledhje të këshillit u zotua se do t’i propozojë një vendim të këshillit bashkiak, ku bashkia do t’u rekomandonte të gjithë administratorëve të pallateve dhe banorët e Tiranës një udhëzim për heqjen e depozitave të ujit nga tarraca.

Vendimi nr. 150 i datës 16.12.2019 pohonte se vendosja e depozitave do të lejohej vetëm në rastet kur pas raportit që do të përgatitet me inxhinierë konstruktivë të licencuar  dhe do të miratohet nga shumica e asamblesë së bashkëpronësisë.

Veliaj: Një peshë e jashtëzakonshme që është një rrezik konstant për jetën. Kërkohet që të bëhen shumë gjëra për këtë vendim të këshillit bashkiak, pasi nuk do t’i lëmë banorët pa një zgjidhje, por në bashkëpunim me administratorët e pallatit do të kenë depozita të përbashkëta në katin e parë. Do të japim leje të përshpejtuara për ata që do të bëjnë një depozitë të përbashkët, pasi nuk mund të vazhdojë kjo situatë.

Po çfarë ndodh në realitet? A janë hequr depozitat e ujit nga tarracat e pallateve të dëmtuara?

BOOM bëri një vëzhgim në disa nga zona e Tiranës, në pallate të vjetra.

Depozitat e ujit nuk janë hequr nga pallatet , banorët shprehen se s’mund t’i heqin kur nuk kanë ujë në shtëpitë e tyre.

Me sill ujin të heq depozitat! Nuk ka ardhur njeri pas tërmetit për t’i parë. Në fakt pas tërmetit ne nuk kemi as ujë.”

“Kemi depozita, por nuk ka kush t’i heqë. Këtu nuk vjen njeri.”

“Asnjë nuk i ka hequr depozitat. Janë carë depozitat, ujë dynjaja.”

“Nuk vjen njeri këtu, ne nuk kemi as administrator pallati. S’kemi ujë se vjen 3 herë në ditë.”

Depozitat mund të qëndrojnë nëse ka një vlerësim nga inxhinierë konstruktiv të licencuar dhe më pas të miratohen nga asambleja e pallatit.

Pyesim banorët se a kanë një administrator, a ka pas një vlerësim nga inxhinierë që depozitat duhet të qëndrojnë.

Në Kombinat, një nga zonat më të prekura të tërmetit të 26 nëntorit, banorët thonë se nuk kanë as administrator dhe nuk kanë as një vlerësim për depozitat.

“Nuk kemi administratorë pallati. As inxhinierë nuk ka ardhur për vlerësim.”

“Të gjithë banorët kanë depozita. Inxhinierë nuk kanë ardhur fare.”

“Nuk i heqin depozitat se nuk vjen uji 24 orë. S’kemi ku të shkojmë se nuk rrimë dot pa ujë. Këtu nuk çan kokën njeri për ne.”

Ato vazhdojnë të qëndrojnë aty, pasi nevoja për ujë është e domosdoshme.

Uji vjen me orare 3 herë në ditë dhe pa depozita banorët nuk mund të qëndrojnë pa ujë.