Emisioni investigativ “BOOM” në RTV Ora solli këtë të hënë (20 korrik) denoncimin e z. Gaspër Rrotaj, banues në Bushat të Shkodrës. Në vitin 1992 ai ka blerë një armë gjahu për të cilën u pajis edhe me leje.

Në vitin 2017  policia ia sekuestroi  me arsyetimin se ka konflikte me vëllain.  Kanë kaluar 3 vite dhe Gaspëri nuk e di se ku ka përfunduar çiftja e sekuestruar.

“Ma sekuestruan çiften se më thanë që ke konflikt me vëllain. Unë për problemet që kam me vëllain i jam drejtuar gjykatës. Çiften e kam të sekuestruar ndërsa lejen në shtëpi. Nuk e di ku ka përfunduar, disa thonë e ke në Shkodër, të tjerët në komisariat. Kërkoj të më kthehet çiftja.”

Emisioni “BOOM” kontaktoi edhe me policin i cili i ka sekuestruar armën. Ai thotë se arma është dërguar në Shkodër.

“Çiftja u bllokua se ka pasur konflikt me vëllain. Ne nuk e kemi këtu por e kemi dërguar në Shkodër. Është komisioni aty që vendos se çfarë mase do të marrë më pas”.

“BOOM” gjithashtu kontaktoi dhe me shefin e komisariatit i cili është shprehur se ata duhet të krijojnë bindje se z. Gaspër nuk ka konflikte me të vëllanë.

“Ne duhet të krijojmë bindje që t’i nuk ke më konflikt. Duhet të vijnë të dy vëllezërit dhe të më  thonë që nuk kemi konflikt. Nuk mjafton vetëm njeri. O Gaspër unë të njoh dhe e di që ti je i qetë si një prift, por ne duam të krijojmë bindjen që ti nuk ke konflikt”.