Në mars të vitit 2016  Kryetari i  Bashkisë Tiranës Erion Veliaj dha lajmin e mirë se banorët e zonës së Ali Demit dhe Kodrës së Priftit do të çmontonin depozitat nga tarracat pasi këto 2 lagje do të ishin të parat në Tiranë që do të furnizoheshin 24 orë me ujë.  

Sot kur kanë kaluar  më shumë se 4 vite nga premtimi që beri kryetari i Bashkisë BOOM shkoi në zonën e Ali Demit për të folur me banorët.  

Banorët e Ali Demit shprehen se uji është me orar, që ende kanë depozita mbi tarracë dhe se Veliaj nuk e ka mbajtur premtimin.  

“As nuk e ëndërrojmë si gjë, të shohim deri në 2025. Se tani e kemi vetëm me orar dhe depozita në pallate.”

“Pallati ynë i ka depozitat, se nuk ka ujë 24 orë, vetëm 4 orë në ditë kemi.”

“Uji vjen 2-3 orë. Kemi depozitat sipër. Nuk kemi ujë 24 orë.”

Banorët i kanë besuar më shumë instinktit tyre sesa fjalëve të kryetarit të bashkisë sepse nëse do të kishin hequr depozitat sot do të ishin pa ujë në shtëpi.   

Edhe te Kodra e Priftit është e njëjta situatë ku banorët thonë se nuk ka ujë 24 orë.  

“Kemi ujë me orar, vjen 2-3 orë në mëngjes dhe në darkë.”

“Të paktën të kemi ujë se vjen me pikatore.”

“Ndoshta Veliaj ka ujë te shtëpia dhe mendon se kemi edhe ne.”

“Kryetari i bashkisë të mos dalë për shfaqje në televizion, por të merret me këtë punë.”

Ndoshta ka ardhur koha që Veliaj të heqë dorë nga show mediatik dhe të punojë për banorët e Tiranës.

Mbi të gjitha duhet të japë një shpjegim qytetarëve se përse nuk e mbajti premtimin e bërë me aq pompozitet.