Ky vit i ri shkollor për nxënësit filloi ndryshe.

Sipas masave  anti-Covid nxënësit duhet të qëndrojnë vetëm në bankë.

Përdorimi i maskave dhe dezinfektantëve është domosdoshmëri.

Këto rregulla në shkollat e  qyteteve  përgjithësisht zbatohen, por çfarë ndodh në shkollat e periferisë dhe të fshatit.

BOOM ka bërë një vëzhgim në shkollën “Vat Bushi” në Lalëz.

Autobusi që transporton nxënësit  ka kapacitet 30 vende, por ai sjellë në shkollë 45 deri 50 nxënës.

Fëmijët pranojnë se qëndrojnë në këmbë në autobus sepse nuk ka vende të lira.

Shoferi pranon se ka mbikapacitet dhe shprehet se kompania e transportit duhet të paguhet më shume nëse duan që të respektohen rregullat anti Covid.

Shoferi: Autobusi ka 30 vende, por këta janë fëmijë të vegjël, por nuk kemi si ta bëjmë ndryshe. Këtë moment mund të jenë 45 fëmijë. Ky është autobus i vogël se tjetri është më i madh se vijnë edhe me atë tjetrin.

Fëmijët: Unë qëndroj në këmbë se nuk ka vende. Gjithmonë kështu ndodh.

Ditët e para të shkollës nxënësit e fshatit Likmetaj nuk  shkuan në shkollë sepse autobusi që kryen transportin kërkonte tarifë shtesë privatisht nga prindërit sepse nuk i leverdis, që të shkojë deri aty për të marrë fëmijët.

Shoferi: Ata thonë që të mbajmë distancën, por nuk e ngrenë çmimin, se është njëlloj sikurse në kohën e para pandemisë.

Shkolla paguan 900 leke të vjetra në ditë për transportin e 1 fëmijë nga fshati Likmetaj, ndërkohë që    firma që kryen transportin e fëmijëve i kërkon tarifë shtesë prindërve. 

“Fëmijët kanë 3 ditë pa shkollë, nuk përgjigjet askush. Kam dy javë që jam duke u endur rrugës. Nuk më kanë kthyer përgjigje për transportin, as drejtoresha e Arsimit. Kemi dy vjet që i kemi dhënë lekët.”

Këtë tarifë shtesë prindërit duhet ta paguajnë nga xhepi i tyre.

Ndërkohë, në shkolla tualetet nuk kane ujë dhe rrjedhimisht mungon higjiena. Një problem tjetër është se nxënësit rrinë me orë në pritje.

“Kanë ardhur fëmijët 4 muaj pa banjo këtu, s’ka ujë.”

“S’ka ujë në tualete, ne nuk i përdorim.”

Për disa mësimi fillon në orën 11 vjen në shkolle që në orën  8 dhe pret derisa të fillojë mësimi sepse autobusi vjen vetëm 1 herë.

“Unë vij në mëngjes dhe pres dy orë se nuk ka me çfarë të iki.”