Kryeministri Rama publikoi pamjet nga inspektimi në disa shtëpi të përfunduara në Xhafzotaj, ku edhe shkruan “Qentë le të lehin, karvani ecën përpara”  në Facebook.

Emisioni investigativ Boom në RTV Ora, udhëtoi në Njësinë Administrative Xhafzotaj  dhe Bashkinë Shijak për të parë ecurinë e punimeve dhe se sa karvani ka ecur para.

Në një shtëpi, në Shijak,  vajza e shtëpisë  tregon se “shtëpia nuk është shembur akoma, dhe se tani do shembej.”

Ajo thotë se jetojnë te daja dhe vijnë ndonjëherë të shtëpia.

“ Këtë javë tani afër do fillojë puna.”

BOOM ndaloi në një shtëpi që po rindërtohej dhe gjatë bisedës me punëtorët ata thanë se ndoshta ajo shtëpi përfundon nga marsi, sepse ka pasur ngrica dhe dëborë.

Gjatë bisedës me një banor tjetër, BOOM mëson se janë 35 shtëpi që po rindërtohen, por nuk kanë përfunduar akoma dhe nuk ka afat se kur do të mbarojnë.

BOOM ndaloi edhe në një shtëpi në ndërtim e sipër. Punëtorët thonë se punimet kanë filluar prej një viti, por ka dy javë që nuk vijnë punëtorë.

“Bënë muret dhe ikën.”

Në një shtëpi tjetër në Shijak, BOOM bisedoi me kryefamiljarin, i cili thotë se puna ka nisur ka dy muaj dhe deri në qershor mbase do të mbarojë.

Kryefamiljari thotë se po ndërtohen tre shtëpi, e tija, e vëllait dhe e djalit.

Në Xhafzotaj, BOOM mësoi se puna nuk ka nisur ende pasi në lagje ka shtëpi të cilat nuk kanë përfunduar.

Gjatë një interviste me kryetarin e Bashkisë Shijak, Elton Arbana BOOM mësoi se rreth 400 banesa janë përfunduar, ndërsa pjesa tjetër janë në proces.

Shtëpitë e pa-rindërtuara, i përkasin personave të cilët kanë tërhequr grantin për t’i rindërtuar vetë.

“Në Bashkinë Shijak janë 567 banesa individuale dhe  ka nisur procesi i rindërtimit nga të cilat rreth 400 banesa janë përfunduar.

Pjesa tjetër janë persona që kanë tërhequr grantin për ta rindërtuar shtëpinë vetë,” thotë Arbana.

“ Ka një kontratë, pra operatori ekonomik, ka një kontratë me Fondin Shqiptar të Zhvillimit , jo me Bashkinë e Shijakut që kanë afatet e caktuara  dhe do të mbarojnë brenda afatet e caktuara,  nëse nuk përfundojnë brenda afateve të caktuara ka penalitete,” thotë kryetari i Bashkisë.

Ai sqaron se një banesë në momentin që nis përfundon brenda 35 ditëve . Ai deklaron se përfundimi për gjithë këto është muaji mars.

“Kemi përfunduar më shumë banesa nga sa kishim planifikuar në dhjetor të 2020. Paralelisht po punohet me pallatet. Në mars përfundojnë të gjitha banesat individuale.”