Këtë javë për rubrikën ‘Shqipëria pa filtra’ stafi i emisionit “BOOM” në Rtv Ora ka udhëtuar në fshatin Ballagat të Lushnjes, aty ku jeton familja  Sharka.  

Prej 5 vitesh, fëmijët e kësaj familje kanë jetuar pa drita.

“Kemi 5 vite pa drita. Fëmijët kanë mësuar si kanë pasur mundësitë. Ky nuk flen dot pa dritë. Kam tentuar të punoj jashtë me tre mujor, nuk kemi gjë të sigurt as andej. Këtu është dhoma ime, janë djegur me instalime me të gjitha. Me qiri dhe govatë që mos të lagen fëmijët. Jam 2 milion e 300 mijë lekë të vjetra borxhe nëpër dyqane, ushqimore. Kush mundet të më ndihmojë do ti jem shumë mirënjohës.”

“Kam 6 fëmijë, fëmija i vovël është 1 muajsh. Shumë vështirësi kemi, nuk ja dal dot. Ai është i sëmurë, 12 vjeç. U sëmurë që 3 muajsh. Nuk lëviz nga krevati, as shikon, as flet, as nuk rri. Vetëm, kur e marr në krahë. Flemë tre veta në krevat. Nuk ua plotësoj dot nevojat. Mi kërkojnë por u them nuk kam mundësi.”

“Unë jam tre vjeç, më pëlqejnë lodrat. Dua një krevat të bukur. Unë fle këtu me mamin dhe motrat.”

Situata nuk ka nevojë për shumë koment. Është e trishtë të shohësh një nënë që i duhet të kujdeset për 6 fëmijë në këto vështirësi ekonomike, ndërkohë nga ana tjetër sëmundja e djalit të paralizuar prej 12 vitesh e rëndon dhe më shumë situatën.

Thirrja shkon për çdo shqiptar që mund të  ndihmojë familjen Sharka, të paktën me një karrocë për djalin e paralizuar do të ishte  një ndihmë e madhe sepse ai e ka të pamundur të ecë.